Ngjarje

Bojkoti që zbrazi fakultetet

Anxhela Celanji - Protesta e studentëve ka mbushur prej dy javësh bulevardin plot, por ka lënë bosh auditorët e fakulteteve, të cilat tani do të duhet të gëlonin nga zhurma e leksioneve e seminareve, pak përpara festave të fundvitit; kohë kur edhe shumë të rinj kthehen pranë familjes nëpër vendlindjet e tyre. Nëpër sallat e leksioneve ajo që mbizotëron tani është vetëm heshtja, ndërsa ata pak studentë që kalojnë aty pari nga fakulteti, i qasen vetëm oborrit të shkollës. Shumica vazhdon të protestojë në qendër të Tiranës, por askush nuk e di nëse do të plotësohen zyrtarisht 8 kërkesat e tyre dhe aq më pak kohën brenda të cilës do të plotësohen ato. Deri atëherë, mësim nuk ka!

Fakulteti iShkencave të Natyrës

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës gjejmë një grup të vogël të cilët pretendojnë të bëjnë mësim. Disa prej tyre thonë se kanë qenë pjesë e protestës, por janë larguar, pasi janë lodhur nga pritja e gjatë. Ndërsa një grup tjetër prej pesë vetash në fillim të portës së fakultetit thanë njëzëri se protesta do të vazhdojë, sepse ata janë të vendosur, madje të gjithë së bashku kanë planifikuar të mos zhvillojnë mësimin as në javën e ardhshme. Edhe roja që qëndron në afërsi të portës, tregon se mësimi është bojkotuar prej ditës së parë të protestës studentore. Në një auditor tjetër, dy studente tregojnë me keqardhje që gjatë gjithë kohës janë marrë mungesa në orët e mësimit, sidomos në orët e laboratorit.
Teksa shkojmë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, shohim se edhe këtu sallat janë të braktisura nga studentët. Në korridoret ku më parë shikoje studentë duke vrapuar për të arritur orët e mësimit, tashmë gjenden vetëm disa grupe të vogla prej tre vetash në çdo kat. Të vetmet zyra që funksionojnë në këtë fakultet janë sekretaritë.

Fakulteti i Histori-Filologjikut

Disa dhjetëra metra më tej, në portën kryesore të Fakultetit të Ekonomisë, me gërma kapitale është afishuar një letër që shkruan “nuk vijmë në mësim, deri sa të plotësohen kushtet”. Holli i fakultetit është krejtësisht bosh ndërkohë që disa studentë vijnë për të marrë disa vërtetime dhe largohen duke treguar se në asnjë ditë nuk është bërë mësim. Ata shprehen se nuk do të rikthen nëse nuk plotësohen 8 kërkesat e tyre. Pak më tutje në sallat bosh, një pedagog i zhgënjyer për bojkotimin e mësimit thotë se “e mira është që studentët të jenë në mësim”. “Por është e drejta e tyre të protestojnë dhe askush nuk mund t’i ndalojë”, thotë ai. Ndërkohë sekretarja e fakultetit na tregon se një pjesë e studentëve konviktorë janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre jashtë Tiranës dhe presin me sytë nga ekranet e televizorëve se çfarë do të ndodhë në kryeqytet me protestën e studentëve.

Fakulteti i Ekonomikut

Në Fakultetin Politeknik, disa studentë tregojnë se po përflitet për një grup përfaqësimi nga çdo fakultet, në mënyrë që të dialogojnë me kryeministrin, edhe pse ata nuk janë fare dakord. Ndërsa për studentë të tjerë në Fakultetin e Mjekësisë kjo është absolutisht e papranueshme. Njëra prej tyre, tepër e zhgënjyer nga sistemi arsimor, thotë se “ato tetë pika nuk kanë nevojë për dialog”. Në Fakultetin e Drejtësisë, ashtu si dhe në atë Ekonomik, sheh ende shiritat apo zinxhirët që studentët i patën vënë për të “mbyllur” shkollën.
Burime të gazetës kanë treguar se edhe në Universitetin e Elbasanit dhe atë të Durrësit, janë të paktë studentët që shkojnë në mësim, dhe bojkoti i mësimit ka pllakosur kudo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë