Editorial

Bojkoti i futbollit është pengmarrje nga qeraxhinjtë e tij

Liga e presidentëve të klubeve të futbollit kërkon të negociojë me qeverinë për disa favore duke kërcënuar se do ta mbysë futbollin përmes bojkotit të ndeshjeve në kampionatin e Superiores.
Kjo është pengmarrje shumëfishe.
Pronarët e klubeve mund të kenë gjithçka, të blejnë dhe të shesin lojtarët, të krijojnë dhe vdesin emra skuadrash, të blejnë stadiume. Tregu ua jep këtë mundësi. Por ata nuk zotërojnë futbollin si lojë. Ata mund ta shesin e ta blejnë një ndeshje, ta komprometojnë edhe lojën siç kanë bërë, por kurrë të jenë zotër të saj.
Kjo lojë u përket njerëzve të thjeshtë. Ata e krijuan. Dhe vetëm ata mund të vendosin ta vdesin.
Sporti e veçanërisht futbollit, është si feja për masat. Askush si ai nuk ka fuqinë t’i ngrejë zemrat e një kombi hov duke thirrur e shpresuar për fitore. Ai është besim dhe aspiratë, është bindje dhe mundësi që përmes punës dhe talentit e lartëson një vend. Po a mund të marrësh peng kultet e një kombi? As Zoti nuk guxon.
Futbolli është një mundësi për njerëzit e varfër. Një rrugë për shumë njerëz të thjeshtë që kanë një talent e që mund t’ia dalin jetës në krye. A mund t’u marrësh peng atyre shpresën dhe mundësinë?
Futboll pa tifozë mund të ketë, por tifozë pa futboll nuk ka. Ata janë gëzimi, entuziazmi, inati, revolta. Ata janë gjithçka, janë shpirti i këtij sporti. A mund ta marrësh peng shpirtin e më pas të negociosh për të ngjallur kufomën? Bojkoti që po ndodh është një ofendim për të gjithë ne njerëzit e thjeshtë. Kjo mënyrë që kërkon të zgjidhësh gjërat sipas mënyrës “tokë e zanun”, të mbash peng diçka që nuk të takon, është e papranueshme.
Por nuk kemi pse habitemi pse kemi arritur deri këtu. Prej kohësh pengmarrje të vogla kanë ndodhur. “Skënderbeu” një nga skuadrat më të mira të 10 viteve të fundit, është dënuar për trukim të ndeshjeve 10 vjet që të mos luaj në garat ndërkombëtare dhe ky fakt u la në heshtje pa asnjë marrje përgjegjësie. Arbitrat rrihen nga të fortët në fushë dhe tribunat VIP. Futbollistët mbahen peng nga pagat dhe marrëveshjet okulte. Shumë klube me histori në futboll shpesh ranë në duart e njerëzve me CV të dyshimta dhe kriminale.
Sot futbolli në Shqipëri është peng i interesave ekonomike dhe politike bajate. Nuk është e rast që konflikti shpërtheu në publik pak ditë para se kampionati të niste. Është një mënyrë që dihet. Si fillim kërkojnë t’i zgjidhin gjërat nën rrogoz, por presionet nuk funksionojnë dhe përfitimet nuk shkojnë në xhepat e paracaktuar, atëherë stiset një konflikt që kërkon të përfshijë edhe qytetarët. Në këtë rast ata janë të marrë peng se u është marrë peng një e mirë publike e krijuar nga ata vetë.
Bojkoti sot tregon se futbolli në Shqipëri nuk ka dinjitet dhe as vlerë. Edhe sikur ky konflikt të mbyllet dhe futbolli të nisë sezonin e ri, themelet e një marrëveshjeje të re janë përlyer nga një moral i kriminalizuar që bazohet tek pengmarrja. Kjo është e papranueshme për ne qytetarët.
Këta njerëz që sot thonë se drejtojnë futbollin në çfarëdolloj niveli nuk e meritojnë ta përfaqësojnë atë. Nëse ka një opsion për të rregulluar gjërat, si fillim duhet hequr dorë nga bojkoti.
Në të kundërt, ne njerëzit e thjeshtë dimë ta nisim nga e para, nga rruga ashtu si dikur në rrugicat me topa lecke e këmbëzbathur. Si atëherë ku u krijua “Vllaznia”, 100 vjet më parë edhe “Tirona”, “Shrepefeja”. Do ia nisnim duke u vetorganizuar me ndeshje e kampionate mes pallateve e lagjeve, si dikur kur besonin te njëri-tjetri. Futbolli është i shqiptarëve që mund të jenë të varfër por kanë dinjitet dhe talent. E keni menduar ndonjëherë sikur ne t’i bojkotojmë klubet tuaj?!!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë