Dy blogerë tunizianë të Tik-Tok po përballen me “akuza” në vendin e tyre për përhapjen e tregtisë së paligjshme të emigrantëve duke shpërndarë video të kalimeve të tyre të paligjshme me varka dhe duke postuar imazhe të shpenzimeve të tyre në Europë.
Chaima Ben Mahmoude, 21 vjeçe, futi një video që tregonte atë duke përshëndetur ndërsa bënte kalimin nga Tunizia në Itali, që kushton më shumë se 1,000 paund me të fejuarin e saj në një varkë të mbushur me emigrantë.
Në pamje, ajo buzëqesh së bashku me 23 emigrantë të tjerë ndërsa kërcen me muzikë rap në udhëtimin në dukje të shkujdesur nëpër Mesdhe.
Mesdheu Qendror është rruga më vdekjeprurëse e emigrimit në botë, me më shumë se 17,000 vdekje dhe zhdukje të regjistruara që nga viti 2014. Mijëra refugjatë janë të detyruar të marrin rrugën për t’i shpëtuar luftës dhe varfërisë.






Ben Mahmoude, e cila ka afro 140.000 ndjekës në Tik-Tok, pohoi se ishte ‘detyruar’ të bënte udhëtimin prej 188 km, sepse fitonte vetëm 90 paund në muaj nga parukeria në Tunizi.
Një muaj më parë, Sabee al Saidi, 18 vjeçe, postoi një foto të ngjashme të saj, e lyer me buzëkuq ngjyrë rozë të ndezur, nga një varkë prej druri gjatë udhëtimit.
Blogerët zbritën në Lampedusa, Itali, dhe më pas udhëtuan nëpër qytetet europiane, duke bërë selfie pranë kullës Eifel dhe duke hipur në BMW.
Dy gratë kanë ndezur polemika me postimet e tyre në kohën e kalimit të tyre në nëntor dhe dhjetor – me tunizianët në shtëpi duke i kritikuar ato për ‘normalizimin’ e një udhëtimi që lë mijëra të vdekur çdo vit.
Sabee al Saidi postoi një video të dytë në nëntor pas reagimit të ashpër duke këmbëngulur se ajo duhej të largohej nga Tunizia për shkak të ‘kushteve të vështira sociale’, duke shtuar se ajo nuk i inkurajoi të tjerët ta kopjojnë atë.



Dhe tani kalimet e rrezikshme janë kritikuar nga ekspertë në mbarë botën për shkak se u kanë dhënë migrantëve të dëshpëruar një përshtypje joreale të jetës në Europë.
Ndërsa iu nënshtrua karantinës dy-javore të Covid në një qendër paraburgimi në Itali, Ben Mahmoude tha se i kuptonte rreziqet e udhëtimit, të cilin ajo e bëri në dhjetor.
Por vështirësitë financiare dhe pamundësia e saj për të marrë një vizë e kishin ‘detyruar’ të bënte ‘harka’, termi i përdorur në Tunizi për kalimin.
Fjala është një referencë për ‘djegien’ figurative të kufijve dhe shkatërrimin e dokumenteve personale përpara se të ndërmerret kalimi i rrezikshëm.
“Nuk gjeta asgjë për veten time në Tunizi”, tha ajo në intervistën.
“Unë kam një diplomë për parukeri dhe nuk kam mundur të punoj në këtë fushë. Kur e bëra, paga mujore ishte vërtet e pashpresë, rreth 90 paund në muaj. Nuk mund të bësh asgjë me këtë pagë. Thjesht mund të përdorësh transportin publik dhe të blesh drekën, kaq”.
Ben Mahmoude, e cila ashtu si al Saidi u rrit në një familje të shtresës së ulët në qytetin bregdetar tunizian të Sfax, tha se gjithçka që u desh ishte një telefonatë me një mikun e një miku.
Ajo pagoi 1560 dollarë për një vend në varkë së bashku me 23 të tjerë.
Pavarësisht buzëqeshjeve të saj në postime, ajo tha se udhëtimi ishte i tmerrshëm. Ajo përshkroi një moment kur varka u lëkund fuqishëm.
“Isha shumë e frikësuar, pashë vdekjen para meje”, tha ajo.
“Në varkë, ne bëmë një lutje dhe u përgatitëm për vdekje. Kur na thanë se kishim mbërritur në ujërat italiane, nuk mund ta besonim”.
Megjithatë, Ben Mahmoude thotë se ishte e përgatitur të rrezikonte vdekjen për një jetë më të mirë.
“Kam shumë miq që kanë bërë harka dhe kanë gjetur mundësi në Europë. Më kanë thënë se mund të gjej punë, se ka shumë para. Unë dua të ndryshoj jetën time si ata”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.