Ngjarje

Bllokohen 27 ton fileto pule me salmonelë. Gjobiten edhe supermarkete

27 tonë fileto pule braziliane të bllokuara në Portin e Durrësit, kanë rikthyer alarmin e salmonelës në vend. Në pikën e hyrjes së mallrave në qytetin e Durrësit, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kthyer në vendin e origjinës 2 ngarkesa, pasi ishin të pasigurta për konsum.

Ngarkesa prej 27 tonësh me fileto pule ishte importuar nga kompania “AMG shpk” dhe u kthye për shkak se produkti kishte përmbajtje të bakterit të Salmonelës. Ndërsa ngarkesa tjetër prej 19.2 tonësh kafe kokërr e papjekur nga Brazili, ishte importuar nga subjekti “New Centry LTD”. Kjo e fundit u kthye mbrapsht pasi kishte mangësi në dokumentacionin shoqërues.

Bakteri i Salmonelës, gjendet tek kafshët dhe njerëzit dhe në habitate të përshtatshme nis të zhvillohet duke shkaktuar një sërë sëmundjesh. Shenjat e salmonelës përfshijnëë diarrenë dhe ethet, të cilat shfaqen 12-72 orë pas infeksionit dhe sëmundja vazhdon edhe 4-7 ditë. Disa njerëz e kalojnë këtë sëmundje pa trajtim dhe të tjerët që kanë imunitet të ulët e kanë të nevojshme të trajtohen në spital. Nëse nuk trajtohet për një kohë të gjatë, salmonela mund të jetë edhe vdekjeprurëse.

Edhe gjatë vitit të kaluar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, identifikoi në një ngarkesë me 53.1 ton mish të importuar nga Brazili, të njëjtin problem. Në atë kohë AKU bëri me dije se do të kontrollonte vazhdimisht çdo ngarkesë mishi nga Brazili për të garantuar në mënyrë të plotë sigurinë ushqimore të produktit që importohen”.

Porti i Durrësit. Gazeta Si, 14 shtator 2019

Ndërkohë nga kontrollet e ushtruara në terren nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, të iniciuara edhe pas denoncimeve të qytetarëve, inspektorët e këtij institucioni kanë prerë një seri gjobash ndaj disa supermarketeve, rrjete të njohura në vend. Më konkretisht:
Subjekti “CONAD”, Tiranë, i inspektuar pas njoftimit nga sistemi RASFF (Sistemi i Alertit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) për një sasi produkti “Oriz” me përmbajtje substance të paautorizuar të importuar në vendin tonë, rezultoi se në deklaratën doganore subjekti deklaronte import të sasisë prej 360 kg oriz, ndërsa në stabiliment paraqiti dokumentacion për importim të produktit në sasinë prej 480 kg oriz (sasia prej 120 kg oriz e llojit “Riso Parboiled X Insalate Conad Kg1” me nr. loti të njëjtë siç njoftohej nga RASFF, por e padeklaruar në faturën përmbledhëse të paraqitur në doganë). Subjekti nuk paraqiti evidenca për shpërndarjen e produktit tek subjektet). Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:
- “Gjobë” me vlerën 2,000,000 lekë (për importim të ushqimeve në kundërshtim me ligjin),
- “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë),
- “Tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu”, me qëllim asgjësimin e tij.
Subjekti “Big Market”, Rrogozhinë, ushtronte aktivitetin i papajisur me licencën përkatëse (Kategoria II.1.B), nuk dispononte planin/manualin e vetëkontrollit, si dhe u konstatuan produkte të paetiketuara në gjuhën shqipe (oriz, makarona etj). Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative:
- “Gjobë” me vlerën 1,500,000 lekë (mosdisponim licence për ushtrim aktiviteti).
- “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë (mungesë e planit/manualit të vetëkontrollit),
- “Gjobë” me vlerën 50,000 lekë (etiketim në kundërshtim me ligjin).
Subjekti “Big Market”, te Vasil Shanto në Tiranë, inspektuar pas njoftimeve të ardhura nga qytetarët, ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare (produktet mbaheshin të pasistemuara, të mbivendosura dhe të pandara nga produkte të tjera, raftet kishin prani ndryshku, produktet e sigurta për konsum ruheshin në të njëjtin ambjent me ato të pasigurta (rrezik i mundshëm për kontaminim), tregtonte produkte me afat të kaluar përdorimi (Coca-Cola), si dhe nuk dispononte sistemin e gjurmueshmëris. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:
- “Gjobë” me vlerën 500,000 lekë (mungesë të kushteve higjeno-sanitare),
- “Gjobë” me vlerën 500,000 lekë (hedhje në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi),
- “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë),
- “Gjobë” me vlerën 200,000, lekë (veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë