Ngjarje

Turqit në kullën e kontrollit, nga nesër rikthehen normalisht fluturimet në Rinas

Pas thuajse 40 orësh bllokim, në aeroportin e Rinasit është ulur avioni i parë në pistë. Sipas “FlightRadar”, mësohet se avioni i parë i ulur, i përket linjës “Air Albania”.

Ai është nisur nga Stambolli dhe në bord ka pasur sasinë e radhës të vaksinave anti-Covid për Shqipërinë.

Më herët, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u shpreh se sot do të kryhen vetëm fluturime esenciale, shëndetësore dhe ushtarake.

Ndërsa duke nisur nga nesër, (e premte, 9 prill), sipas saj, do të rifillojnë normalisht fluturimet e të gjitha kategorive.

Por TIA, përmes një njoftimi për shtyp, nuk ka dhënë një orar të saktë për nesër se kur do të rifillojnë udhëtimet për të kthyer në normalitet punën në aeroportin e Rinasit.

Ndërkohë, ashtu siç kanë bërë me dije ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka shumë të ngjarë që kontrollorët shqiptarë të zëvendësohen me ata të huaj.

Sipas disa burimeve, mësohet se disa kontrollorë të trafikut ajror turk, kanë mbërritur që mbrëmë në Shqipëri përmes Podgoricës nga Mali i Zi.

Më herët, Komiteti i Emergjencave Civile, dha miratimin për zëvendësimin e punonjësve të “Albcontrol” dhe kjo shkurton edhe procedurat e zëvendësimit e tyre.

Tre nga kontrollorët shqiptarë që janë cilësuar si organizatorë të bllokimit, janë arrestuar sot dhe të shtunën pritet të dalin para gjykatës.

Urdhri i ndalimit u zyrtarizua nga Prokuroria e Tiranës  për Armando Fezgën, Flora Ndrecën dhe Muhir Mezinin, ndërsa 25 të tjerët u lanë të lirë pas shoqërimit për disa orë në polici.

Tre të ndaluarit, me detyrë kontrollorë përgjegjës në trafikun ajror të Rinasit, akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Ditën e sotme, me qindra qytetarë, fëmijë, nëna shtatzënë dhe të moshuar, janë dyndur në Rinas dhe kanë qëndruar me orë të gjata në pritje të një njoftimi për t’u nisur në destinacionet ku kishin prerë biletën.

Por ata janë njoftuar nga autoritetet aeroportuale se edhe për sot fluturimet komerciale janë pezulluar.

Ndërkohë, aeroporti i Rinasit ka njoftuar se pasagjerët e “FlyDubai” që kanë prerë biletën për në Dubai dhe e kanë fluturimin ditën e sotme, do të transportohen me autobusë në Podgoricë dhe udhëtimi do të kryhet nga aeroporti i Podgoricës.

Gjithashtu pasagjerët e linjës Dubai-Tiranë, me të njëjtin fluturim, do të ulen në aeroportin e Podgoricës sot në mbrëmje, me një parashikim në orën lokale 18:30. Ata do të transportohen në Tiranë me autobusë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë