Ngjarje

Bllokimi i Rinasit, Balluku i hap rrugë ligjërisht punësimit të kontrollorëve të huaj

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndryshuar procedurat për certifikimin e punonjësve që do të vijnë nga jashtë për të punuar si kontrollorë të trafikut ajror në Rinas, pas situatës që u krijua ditët e fundit, ku u bllokuan fluturimet për shkak të grevës.

Urdhri i Ministres Belinda Balluku, i publikuar në Fletoren Zyrtare, i hap rrugë operimit të kontrollorëve të huaj, në pamundësi të personelit rezervë të licencuar vendas për të zëvendësuar punonjësit që ndërpresin punën.

Dokumenti i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton se për kontrollorët e trafikut ajror që operojnë jashtë Shqipërisë, do të njihet menjëherë licenca e tyre, nëse është i lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me Konventën e Çikagos.

Në këtë mënyrë, tashmë i hapet zyrtarisht rruga punësimit të kontrollorëve të huaj në vendin tonë.

Pas bllokimit të fluturimeve për mbi 48 orë, këtë të premte rinisën fluturimet në Rinas, ku situatën e morën në duar kontrollorë të huaj të ardhur nga Turqia dhe Greqia.

Ndërkohë që pjesa me e madhe e kontrollorëve shqiptarë që ndërprenë punën, janë kthyer në kullën e kontrollit.

Arsyeja e ndërprerjes së punës nga ana e tyre, ishte ulja e pagës dhe stresi, si pasojë e rënies së financave në familje, duke u deklaruar të paaftë për punë.

Për situatën e krijuar, por edhe për faktin se greva nga kontrollorët është e ndaluar me ligji, policia ka arrestuar  tre kontrollorë të trafikut ajror: kreun e sindikatës, Armando Fezga, Flora Ndreca, përgjegjëse e turnit dhe kontrollori Muhin Mezini, të dyshuar nga prokuroria si organizatorë të bllokimit të fluturimeve në Rinas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë