Nga Gazeta Si- Përfaqësuesit e kompanisë “Mabco”, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, kanë thënë se përplasjet për Aeroportin e Vlorës nuk janë më një çështje konflikti mes dy kompanish.
Në një konferencë për mediat, përfaqësuesit kanë folur lidhur me përplasjet e ditëve të fundit të cilat kanë sjellë bllokim të punës në aeroportin e Vlorës.
“Nuk është më çështje konflikti mes dy bizneseve, por është çështje e sigurisë së investimeve strategjike në vendin tonë nga njëra anë dhe nga ana tjetër është çështje e funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Aeroporti i Vlorës është një projekt strategjik për Shqipërinë, turizmin, transportin ajror dhe është çështje imazhi për vendin tonë, sa i përket investimeve të huaja në Shqipëri. Për këtë arsye, çdo pengesë dhe çdo bllokim, dhe çdo heshtje institucionale apo pengim nga ana e institucioneve nuk prek vetëm kompaninë Mabco, por prek besimin tek shteti shqiptar.”, tha përfaqësuesja e kompanisë, Ornela Çuçi.
Më tej, Çuçi akuzoi kompaninë “2A Group” se është ajo që po bëhet pengesë për vijimin e punimeve.
Ajo theksoi se “Mabco” është pronare 98% të kuotave në shoqërinë “Vlora International Airport” shpk dhe se po ashtu ka investuar 92 milionë euro direkt në projekt dhe 152 milionë euro kolateral për të garantuar kredinë bankare.
“Si është e mundur që investitori kryesor sot përjashtohet nga informacioni, nga kantieri, mbledhjet teknike në kantier por edhe nga proceset e certifikimit, siguria?”, thotë ajo.
Çuçi tha se pavarësisht se kompania i është drejtuar institucioneve për zgjidhje, nuk ka marrë një përgjigje.
Kompanitë “Mabco” dhe “2A Group”, të cilët po kryejnë punimet në aeroportin e Vlorës prej disa muajsh janë në mosmarrëveshje për shkak të pretendimeve për kuotat që zotërojnë në “Vlora International Airport”.
Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i kompanisë Ilir Gërdupi, tha se Policia po mbështet vetëgjyqësinë.
“Policia na ndalon hyrjen, por sipas kontratës VIA merr udhëzime nga ortaku, nuk jep urdhra për shoqërinë mëmë dhe nuk mund të marrë një vendim të tillë. Policia duke mbështetur një vendim të tillë pa patur një proces gjyqësor është një masë në kufijtë e vetëgjyqësisë që bie në kundërshtim me Kodin Penal.”, tha Gërdupi.
Ndërkohë, inxhinieri Klodian Sala ka deklaruar se mbi 90% të detyrimeve kontraktuale të kompanisë “Mabco” kanë përfunduar.
Por sipas tij, mungesat vijnë pikërisht nga kompania VIA, e cila nuk i ka përmbushur detyrimet e veta kontraktuale.
“Të gjitha punimet ndërtimore që kanë përfunduar nga Mabco, janë bërë me gjenerator, sepse nuk kemi pas furnizim me energji elektrike e as me ujë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje