Më të mirat 2022

‘Black Friday’ on hold / Është koha e ‘Social Friday’, kush është shqiptari që prezantoi idenë për ditën më jo produktive të javës

Të premten të gjithë punojnë me dëshirë duke qenë se kanë para fundjavën por pyetja është: A punojnë?

Nga Sorgena Leka - Fikret Zendeli ka lindur në Gostivar dhe shkoi të jetonte në Zvicër kur ishte 9 vjeç ku dhe u shkollua. Pasi u diplomua për inxhinieri ndërtimi vendosi të hapë kompaninë e tij në Zvicër dhe Maqedoni, i ndihmuar nga familja.
Një ditë vere në 2017 ai vendosi që ditën e premte t’ia kushtojë shëndetit mendor dhe socializimit të punonjësve të tij, duke hequr dorë kështu nga një ditë pune të kthyer në organizime dhe aktivitete. Tani ai po i tregon këtë projekt gjithë botës…
Çfarë është e premtja sociale?
“Një mënyrë e zgjuar për të përdorur ditën më pak produktive të javës”. Kështu u është përgjigjur Zendeli të gjithë atyre që me kuriozitet e kanë pyetur.
“E mbaj mend momentin e parë që mu kujtua kjo ide si të ishte para disa ditësh. Po lexoja një artikull që vërtetonte atë që të gjithë ne e dimë: që e premtja, sidomos pas mesdite, është dita më pak produktive e javës.
Ndërkohë që po lexoja atë artikull në verën e 2017, qesha dhe i thashë vetes që ok, këtë e dija dhe mesa duket, të gjithë mendojnë njësoj si unë.
Gjëja e parë që mendova është si mund ta përdor këtë kohë të çuar dëm në të mirë të kompanisë time dhe të gjithë shoqërisë. Kështu lindi ideja e “social Friday”, thotë Fikret Zendeli për Gazetasi.al.
Thjeshtë shkoi dhe u tha gjithë grupit të punës që në data të caktuara do kenë të premte sociale ku në vend të punës do të bëjnë një organizim dhe “thjesht të shohim çfarë ndodh”.
Në fillim punonjësit ishin skeptikë, kjo edhe sepse të gjithë në kompaninë e tij janë njerëz me natyrë të mbyllur, që duan të rrinë me lapsat e tyre, duke u marrë me numrat dhe matjet.
“U thashë që do e provojmë dhe aktiviteti i parë që bëmë ishte ujitja e luleve në hapësirën rreth punës. Ishte diçka e vogël ku të gjithë ato që na panë thjesht menduan se po bëjmë punën tonë”.
Më pas filluan të bëjnë organizime të tjera siç është bowling, futboll, mblidhnin të rinj për të bërë lojëra apo për festa, vizitonin fëmijë nëpër qendra të ndryshme, mblidheshin për të pirë diçka. Tani kanë një platformë ku kushdo që do tu bashkohet në Social Friday mund të regjistrohet dhe bëhet pjesë.


“Rëndësinë e vërtetë të nismës e kuptova kur me anë të një organizate mblodhëm disa fëmijë romë dhe pasi mbaruam aktivitetin, ndjeva dëshirën dhe detyrën ti ndihmoj, përderisa kisha mundësinë.
Kështu vendosa që në qendrën ku ato mësonin, të punësoja një mësuese anglisht part-time. Ndoshta duket pak dhe diçka e parëndësishme por në atë kohë mendova se kjo është diçka që do u duhet në të ardhmen. Pas disa kohësh organizata e punësoi mësuesen me kohë të plotë”, shton Fikret Zendeli për Gazetasi.al.
Dhe kjo është e premtja sociale sipas Zendelit. Do shumë kohë organizim, do shumë punë dhe në fund bën një të mirë, ndihmon personelin dhe financat e kompanisë.
“Punonjësit e mi ishin më të motivuar dhe të qetë e kjo u përkthye në më shumë punë produktive gjatë javës”.
Pasi vërtetoi se nisma e tij ishte frytdhënëse, vendosi t’ia tregojë botës duke filluar komunikimin me kompani dhe organizata duke u folur për të premten sociale.
Ishin të shumta kompanitë dhe organizatat që u bënë pjesë.
Shumë shpejt Zendelin e ftuan në Amerikë, Australi dhe Norvegji për të folur për këtë projekt dhe Feedback-u që mori ishte më shumë se sa ai priste duke qenë diçka rriskuese për kompanitë që në pamje të parë duket sikur thjesht do humbnin një ditë pune.
Zendelit i propozuan të bënte një hap më të madh, të bëhej pjesë e TED Talk, grupit më të madh në botë ku njerëzit mund të ndajnë idetë dhe mendimet e tyre.

Fikret Zendeli në Ted Talk. Gazeta Si, 5 gusht, 2022.


Në vitin 2021 Zendeli aplikoi për të qenë pjesë e TED dhe pasi u pranua, atij i kërkuan që të përgatiste një fjalim dhe të tregonte se për çfarë do të fliste.
“Donin një fjalim të thjeshtë sepse do shikonin se si flas, si është qëndrimi im. Pasi më pranuan mes 9 kandidatëve të tjerë nga Zvicra, kisha 1 vit kohë të përgatisja fjalimin”.
Zendeli është ndër të paktët njerëz në Ballkan dhe i vetmi shqiptar që ka arritur të jetë pjesë e TED Talk dhe kjo për të është arritja më e madhe deri tani.


“Është ajo që kam dashur, që bota të njihet me idenë time dhe TED është mënyra më e mirë”, shton ai.
I pyetur nëse do e sjellë këtë nismë në Shqipëri, Zendeli thotë se do të ishte shumë i lumtur nëse ndonjëherë do merrte një ftesë për folur në publik për këtë nismë.
Është një projekt në dukje i thjeshtë, i panevojshëm apo dhe mund të duket sikur dëmton kompaninë që e ndërmerr por Zendeli thotë se bota është bërë aq e pasigurt sa ajo që kompanitë duhet të bëjnë është të “shpëtojnë” mendjen e punonjësve, nëse duan të kenë rezultate në punë.
“Siç bëjmë një herë në 3 muaj bilancin ekonomik të kompanisë, pse mos të bëjmë dhe bilancin e shëndetit mendor dhe socializimin e punonjësve. Të gjithë kemi nevojë”.
Ëndrra e tij? Që ‘Social Friday’ të ketë vëmendjen që ka ‘Black Friday’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë