Në orën 11:00, gjatë të dielës së fundit të tetorit bizneset e vogla në vend kanë mbyllur qepenat në formë proteste kundër fiskalizimit.
Bashkë me Shoqatën e Biznesit të vogël dhe disa nga deputetët e Partisë Demokratike në vend, po protestojnë kundër vendimit të qeverisë që parashikon përfshirjen e skemës së TVSH për biznesin e vogël dhe atij të mesëm, në pragun 20 milionë lekë.
Kreu i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm, Albert Nasto ka paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen derisa qeveria të marrë masa për procesin e fiskalizmit që sipas tij dëmton rëndë biznesin e mesëm dhe të vogël. Mund të shkojë deri në një grevë urie.
Nasto ngre dyshimet se ky proces bëhet për të demtuar qëllimisht biznesin e mesëm e të vogël, për shkak se Shqipëria po shkon drejt ekonomisë monopol.
“Ne kemi parashikuar që me anë të këtij sistemi, do mbyllen rreth 60 deri 65% e bizneseve. Monopolet kanë përgatitur këtë program. Të paktën duhet të shtyhet për 2-3 vjet dhe ndoshta duhet të shikohet anulimi për biznesin e vogël e të mesëm që nuk ka lartësinë arsimore për ta punuar.”
Nënkryetari i Shoqatës, Bujar Muça në deklaratë për median thotë se kostoja për bizneset është e lartë dhe e papërballueshme këtë kohë.
Ai shprehet se 90% e bizneseve i janë bashkuar protestës.
Shoqata kërkon që sistemi i fiskalizimit të jetë sa më i thjeshtë dhe i kuptueshëm për biznesin e vogël.
Qepenat do të qëndrojnë mbyllur deri në orën 12:00 në tregun e Medresesë, tregun Elektrik, Çam dhe Industrial. Paralelisht po protestohet dhe në qytetet tjera të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.