Ngjarje

Kur biznesi i pularisë lufton varfërinë

Rreth një mijë zogj të vegjël kontrollohen dhe vaksinohen në një fabrikë të madhe të ndërtuar nga qeveria e Pakistanit, për të shkuar më pas në shtëpitë e çdo fshatari. Ky proces, në dukje i çuditshëm është përsëritur dy herë në qendrën kërkimore të shpendëve, e cila ndodhet në provincën Punjab. Kjo formë e re investimi është një ndër hapat e parë të një programi që qeveria ka krijuar kundër varfërisë i njoftuar më 29 nëntor nga kryeministri Imran Khan. Ideja e tij ishte e thjeshtë, duhet të shpërndaheshin pesë pula dhe një gjel për çdo familje të varfër në zonat ruralë në mënyrë që ata të fitonin para nga shitja e vezëve.
Çështje të tilla dukeshin qesharake për pjesën tjetër të botës. Shumë prej biznesmenëve në mbarë botën filluan të talleshin me idenë e kryeministrin, por drejtori i institutit të kërkimeve shkencore ne Pakistan, Abdul Rehman thotë se ky projekt është tepër i fuqishëm dhe beson se do të sjellë një ndryshim kritik në shëndetin dhe jetesën e miliona pakistanezëve të varfër.

“Në vendin tonë, 44 për qind e fëmijëve nën moshën 5 vjeçare kanë ngadalësuar rritjen për shkak të mungesës së ushqimit. Gjithashtu, shkalla e lartë e vdekjes së foshnjave në vendin tonë lidhet me kequshqyerjen e nënave. Këto vezë mund të jenë një përbërës i shëndetshëm në dietat e tyre,” tha Rehman
Sipas Bankës Botërore, shkalla e vdekjes së foshnjave të porsalindura është një ndër më të larat në botë, rreth 40 fëmijë për çdo 1000 që lindin.

Stafi i Institutit të Kërkimeve të Shpendëve vaksinon zogjtë

Qëllimi i dytë i këtij projekti është që të sigurojnë të ardhura shtesë për familjet e varfra që mund të shesin vezët. Veterinerët thonë se pesë pulat mund të bëjnë disa vezë në jave, kështu që shitja e tyre do të sjellë të paktën 75 dollarë në muaj, më shumë se paga e një rojë sigurie dhe një punëtori ndërtimi.
Me kalimin e kohës pulat e rritura në oborrin e shtëpisë, do të mundësojnë gjithashtu zogj me cilësi të mirë, rezistent ndaj sëmundjeve dhe të shëndetshëm. Ato janë edhe ekonomike pasi mund të hanë mbetjet e kuzhinës në vend të ushqimeve të shtrenjta dhe mund të largojnë grabitqarët ashtu si dhelpra dhe macet.
Pas deklaratës së kryeministrit shumë pakistanezë të klasës punëtore thanë se ishin shumë të gatshëm për të dëgjuar për këtë projekt, i cili iu dukej fitimprurës, edhe familjet më të pasura thanë se e vlerësonin përqendrimin e vazhdueshëm të Khan për gjendjen e vështirë të të varfërve, të cilën ai u zotua që gjatë fushatës së tij së do ti jepte përparësi.

“Njerëzit mund të qeshin me kryeministrin që iu dha rëndësi pulave, po buxheti i tyre do të qeshë me ta më vonë. Kjo ishte një ide e mrekullueshme,” tha Zahida Shad, një blogere në Islamabad. Ajo mban afër garazhit të shtëpisë së saj disa pula, në mënyrë që të sigurojë vezë të shëndetshme për nipërit dhe mbesat e saj.
Rritja e pulave është kthyer në një praktikë të zakonshme në këtë vend kryesisht rural, prej 208 milion banorësh.

Në qytete mund të shohim rrugë të ngushta që janë mbushur me tregtarë që shesin pula të cilat i kanë rritur në oborrin e shtëpisë së tyre. Në disa vende të tjera me shpejtësi janë ndërtuar ferma që rrisin pula të rritura natyralisht. Shumë prej tyre janë nderuar nga industrialistë të pasur që dikur kishin investuar në prodhimin e çimentos ose tekstilit dhe tani kanë zënë vend në tregun e vezëve.
Sadar Ali Abbas, 55 vjeç i cili zoton një dyqan ku tregton vezë dhe pula mezi pret qe të aplikohet programi i kryeministrit. Ai shprehet se pulave të fabrikuara ju mungon vitamina omega 3.

“Ne duam të njëjtin ushqim të mirë për fëmijët që kishin gjyshërit tanë për ne. Problemi është se vezët e shëndetshme kushtojnë shumë dhe janë vështirë për t’u gjetur,” tha Abass.
Ata shpesh herë gjejnë pengesa nga investitorët mëdhenj që i rrisin pulat në fabrika, pasi ata i shesin pulat dhe vezët me një çmim të ulët, kështu që gjatë gjithë kohës do të përfitojnë në kurriz të fermerëve të vegjël.
Në një ese të fundit Zaigham Khan, një gazetar në Pakistan, shkruante se varfëria e vazhdueshme në Pakistanin vjen më shumë për shkak të “rritjes së dhelprave dhe vrasjes se pulave”.
“Me elitën politike dhe të biznesit që komplotojnë për të maksimizuar fitimet, vetëm një riorganizim radikal i biznesit mund t’i japë me të vërtetë mundësi fermerëve të vegjël të kenë fitime. Problemi është se i gjithë tregu, në çdo fazë, punon kundër të varfërve. Është mirë që familjet rrisin pula të shëndetshme, por prodhuesit e vegjël që rrisin 500 zogj, nuk mund të konkurrojnë me kapitalistët që shesin 30,000".
Nuk është e qartë nëse lufta kundër varfërisë së Khan do të marrë krahë nga shitja e disa vezëve dhe do të sjellë më shumë ndryshime në të ardhurat e familjeve rurale, por shumë pakistanezë janë të ngazëllyer nga kjo ide.

Rajah dhe Ghazala Sohail jetojnë një qytet të vogël por shumë të zhurmshëm. Çifti tregon se ka jetuar këtu për vite me radhë, por ata ende janë nostalgjik për fshatin nga kanë ardhur. Rajah, kohët e fundit kërkoi një leje në bashkinë e qytetit që të ndërtonte një kafaz me tela në çati për të rritura pula.
"Më pëlqeu shumë kjo ide, pasi më kujton fëmijërinë time", tha Ghazala, e cila i ushqen pulat dhe i mban të pastra.
"Tani mund të hamë vezë më cilësore. Nëse do të mundemi të shesim edhe disa prej tyre, kjo do të ishte akoma më mirë,” tha ajo. /The Washington Post/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë