Nga Gazeta Si- Në vitin akademik 2022-23, u diplomuan në arsimin e lartë 27.991 studentë, rreth 3 mijë më pak se në vitin paraardhës dhe rreth 5 mijë më pak se para dy vitesh.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instat, fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 25,4 % ose një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve, si për femrat dhe për meshkujt.
Por, edhe pse është fusha ku ka pasur më shumë të diplomuar, “Biznes, administrim dhe ligj” gjithashtu është edhe fusha që ka pasur më shumë rënie në numër studentësh në 3 vitet e fundit, nga 9816 studentë të diplomuar në vitin akademik 2020-2021 në 7101 studentë të diplomuar në 2022-2023.
Fusha e dytë më e preferuar nga meshkujt është “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 22,5 % të të diplomuarve meshkuj. Ndërsa, nga femrat gjithsej të diplomuara, fusha e dytë më e preferuar është “Shëndet dhe mirëqenie” me 22,9 % të të diplomuarave. Analizuar për secilën fushë veças, fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Arsim” (82,6 %), ndjekur nga “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” (80,5 %) dhe “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (79,7 %).
Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Shërbime” (68,8 %), “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (62,5 %), dhe “Teknologji e informacionit dhe komunikimit” (58,5 %).
Ndërkohë, edhe numri i nxënësve në arsimin e mesëm ka pësuar rënie në 3 vitet e fundit, duke shkuar nga 31.136 nxënës në 2021, në 27.069 në 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.