Analize

Biznesi 6 mld euro në vit i Camorras në Jug të Italisë dhe Afrikë me lëndët toksike

Prej më shumë se 24 orësh në Porti e Vlorës gjenden 40 metra kub lëndë e rrezikshme. Këto fuqi janë sjellë nga Italia në Shqipëri dhe do të groposeshin sipas të njëjtës skemë të përdorur nga Camorra në Itali. Gazeta Si mëson se dyshimet janë se një grup i  strukturuar kriminal ka bashkëpunuar me organizatën mafioze italiane për depozitimin e këtyre mbetjeve në vendin tonë. Deri tani ekspertët kanë përcaktuar se lënda jashtë fuçive është e rrezikshme, amiant, por pjesa tjetër mbetet e paidentifikuar. Por cila është skema që përdor Camorra për depozitimin e mbetjebe toksike në Itali dhe jashtë saj?

***

Më 4 Shkurt 1991, Mario Tamburrino po shkarkonte disa fuçi nga kamioni i tij kur ndodhi një aksident që i ndryshoi jetën njëherë e përgjithmonë. Ai po transportonte me kamion 571 fuçi me mbetje toksike nga Piemonte në Italinë Veriore në Napoli në Jug kur lënda ra në kontakt me sytë e tij. Pasi u dërgua në një spital në Napoli, Mario sajoi një histori për të fshehur substancën dhe kushtet përreth aksidentit të tij. Duke qënë se nuk kishin zgjedhje tjetër, mjekët e klasifikuan çështjen si helmim nga një “substancë e panjohur”.

Ky incident i izoluar dhe i rastësishëm ishte ndër të parët që do të zbulonte një prej bizneseve më të rrezikshme të Camorras, depozitimin e mbetjeve të paligjshme toksike.

Që atëherë, miliona ton mbeturina toksike industriale janë djegur e groposur nga Camorra në të gjithë Italinë, por edhe përtej, duke u futur nëpër fuçi dhe duke u venë vënë përshkrime false, si lëndë të parrezikshme.

Për shembull, njerëzit që jetojnë në Campania, një rajon në Italinë Jugore janë të ekspozuar prej vitesh, ndaj lëndëve toksike që janë groposur në rajonet bujqësore. Këto lëndë të përmbajnë zakonisht komponentë të rrezikshëm si asbest, zink, plumb, germanium, arsenik, merkur, klor, kadmium, krom, dioksinë dhe uranium. Kjo do të thotë se mbetjet e gjetura në portin e Vlorës mund të përmbajnë një ose disa prej këtyre lëndëve të rrezikshme.

Këto toksina gjenden në mbetjet e spitaleve, minierave, rafineritë e naftës, tekstileve, centrale bërthamore, laboratorëve kimikë dhe industrisë së përpunimit të ushqimit. Historikisht, testet e gjakut të njerëzve që jetojnë në Campania kanë treguar nivele alarmante të dioksinës. Këto kimikate janë tejet kancerogjene dhe vdekjeprurëse. Edhe pse groposen, ato shfaqen në ushqim, në ujë të pijshëm dhe madje edhe në ajër.

Por si bien këto mbetje kaq të rrezikshme në duart e Camorras dhe çfarë bën më pas mafia italiane me to?

Sipërmarrësit e bizneseve të përmendura punësojnë kompanitë fantazmë të krijuara nga Camorra për menaxhimin e mbetjeve toksike. Ata i paguajnë organizatës mafioze shuma të majme parash, për administrimin e këtyre mbetjeve, në shumicën e rasteve pa e ditur se po bashkëpunojnë me organizatën mafioze. Më pas anëtarët e Camorras, marrim fuçitë më mbetje toksike, për të bërë fillimisht të mundur falsifikimin e tyre si lëndë të parrezikshme, ose duke i vënë etika false. Zakonisht mbetjet toksike dalin nga fabrikat në Veri të Italisë dhe transportohen nga Camorra në Jug, ku groposen kudo që të munden, në liqene, në tokën e fermerëve, apo në det.

Mbeturinat vijnë kryesisht nga Italia Veriore, por edhe nga vendet e tjera të Europës. Ata gjithashtu falsifikojnë përshkrimet e mbeturinave në mënyrë që ato të cilësohen si mbeturina shtëpiake. Shpesh herë, Camorra arrin t’i fusë këto mbetje edhe në depot shtetërore për menaxhimin e mbetjeve.

Protestë kundër Camorras, Gazeta Si, 2020

Për Camorrën dhe organizatat e tjera kriminale si Ndrangheta, depozitimi i mbeturinave toksike është biznesi ideal me fitim të lartë dhe me rrezik të ulët. Me hedhjen e mbeturinave në Italinë e Jugut, ose dërgimin në vendet e Afrikës u lejon atyre të punojnë me kosto me të ulëta se konkurrentët e tyre të ndershëm.

Tamburrino pësoi fillimisht shpërfytyrim, për të mbetur më pas i vërbër. Gati 30 vite pas incidentit, ai ka rrëfyer se po i çonte fuçitë me mbetje toksike në Napoli, ku do të groposeshin  në disa toka bujqësore.

“Camorra ka qenë duke fituar miliarda euro nga mbetjet toksike për dekada të tëra”, thotë Michele Buonomo, presidenti i oganizatës së njohur mjedisore “Legambiente Campania”.

Ai vlerëson se Camorra fiton të paktën 6 miliardë euro në vit nga depozitimi i mbetjeve toksike. Kjo skemë mbetet një nga aktivitetet më fitimprurëse të krimit të organizuar që rivalizon edhe trafikimin e lëndevë narkotike.

Sipas Neë York Times, mbetjet vijnë jo vetëm nga Veriu i Italisë, por edhe nga prodhuesit europianë që nuk duan të paguajnë çmim të lartë për depozitimin e duhur të mbeturinave. Kimikate të tilla si dioksina, asbesti janë gjetur kudo në burimet e ujit në Napoli apo Campania.

Qeveria italiane raportohet se u informua për këtë skemë në vitin 1993, kur mori dëshminë sekrete nga një anëtar i sindikatës së Camorrës. Informacioni u vlerësua si i klasifikuar dhe nuk u bë publik deri në vitin 2013.

“Vetëm publiku nuk e dinte, dhe qeveria nuk bëri asgjë për njerëzit që u prekën”, thotë Buonomo. Një hulumtimi ka zbuluar që gratë që jetojnë në Napoli kanë rreth 50% më shumë mundësi për t’u prekur nga kanceri i gjirit sesa gratë që jetojnë në Veri të Italisë.

“Ajri këtu është helmuar. Është pamundur të mos prekesh. Zona është shumë e gjerë,” tha Alfredo Mazza, një kardiolog që ka studiuar nivelet e kancerit për “Neë York Times “ dy vite më parë.

Më Shumë