Biznes

Bizneset gjermane në Shqipëri, 63% pesimistë për situatën ekonomike

Bizneset gjermane në Shqipëri janë pesimistë për stabilitetin ekonomik të tyre gjatë vitit 2021, sipas anketës së bërë  nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) për periudhën mars-prill të vitit 2021.

63% e të anketuarëve kanë vlerësuar negativisht klimën e biznesit për vitin momental, ndërkohë që një vit më parë kjo shifër ishte 54%. Pozitivisht e kanë vlerësuar vetëm 8% e bizneseve të pyetura, 1% më pak se një vit më parë, kur vlerësohej pozitivisht nga 9%  e bizneseve gjermane.

Situata vlerësohet e kënaqshme nga 29% e bizneseve të anketuara, kur në vitin 2020 kjo përqindje ishte 38. Pjesa tjetër e bizneseve gjermane në Shqipëri, që përbën 23% të masës, pret përmirësim të situatës.

Për bizneset e DIHA, vlerësohen maksimalisht kualifikimi i punonjësve, produktiviteti dhe motivimi i tyre dhe arsimimi akademik.

Në anketë vihet re dhe një përmirësim i këndvështrimit të tyre për situatën politiko-sociale në Shqipëri që mund të ndikojë në biznesin e tyre.

Në përgjigje të pyetjes: “Kur mendoni se mund të arrini xhiron që biznesi juaj ka patur përpara fillimit te pandemisë?” 36% e të anketuarve përmendin vitin 2023 ose më vonë, 31% në vitin 2022, 15% në gjysmën e dytë të vitit 2021, 2% në gjysmën e parë të vitit 2021.

Ndërkohë 6% e bizneseve raportojnë se nuk do të mund të rikthehen ne nivelet e të ardhurave përpara pandemisë dhe 10% e të anketuarve e kanë arritur tashmë xhiron e mëparshme.

Në publikimin e anketimit ishte pjesë zëvëndës presidentja e DIHA-s, Ambasadori Gjerman në Shqipëri Peter Zingraf dhe Ministri i Sipërmarrjes Eduard Shalsi. Të gjithë shprehën dakordësinë për rëndësinë e anketave të tilla dhe pavarësisht kohës së vështirë për të gjithë bizneset në botë, ka dritë në fund të tunelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë