Ekonomi

Bizneset dhe konsumatorët e nisën vitin me pesimizëm. Bie besimi në ekonomi

Nga Gazeta ‘SI’ – Viti i ri ka nisur me pesimizëm nga ana e bizneseve dhe konsumatorëve shqiptarë.

Banka e Shqipërisë raporton se besimi në ekonomi ra me 0.8 pikë gjatë janarit, ku të gjithë sektorët përveç atij të shërbimit.

Industria pati rënien më të madhe me 4.7 pikë përqindje. Sipas anketës, rënia ka ndodhur për shkak se bizneset industriale vlerësojnë rënie të kërkesës dhe çmimeve.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit u ul me 4.1 p.p gjatë janarit, ndikuar nga një rënie e aktivitetit. Pritjet për punësimin dhe për çmimet në të ardhmen u rritën.

Besimi në tregti u ul me 2.9 p.p. pasi bizneset vlerësuan me pesimizëm ecurinë aktuale të biznesit. Nga ana tjetër, pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen kanë vijuar të rriten edhe këtë muaj. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar me rritje.

Besimi i konsumatorëve ra me 3 p.p në janar, pasi ata presin një rënie të fuqisë së tyre financiare. Konsumatorët presin rritje çmimesh.

Bizneset e shërbimet ishin të vetmet që patën rritje gjatë muajit janar, me 4.4 p.p. Në rritje  kontribuuan vlerësimet më pozitive të bizneseve për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe për nivelin aktual të kërkesës. Po ashtu, pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen janë rritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë