Kosova

Bislimi: Rregullorja e Bankës për euron do të hyjë në fuqi nesër, me tranzicion të lehtësuar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar të mërkurën se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme, do të hyjë në fuqi të enjten më 1 shkurt, ashtu siç parashihej.

Bislimi, megjithatë, tha se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar.

"Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër”.

Bislimi, po ashtu, tha se do të zhvillohet një fushatë për infomimin e qytetarëve dhe se shpreson për biseda mes bankave qendrore të Kosovës dhe të Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e vendosur që "zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të territorit të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe i pakompromis".

"Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që në periudhat eventuale transitore të sigurojmë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa u dëmtuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë