Shendet

Bino: Nëse shfaqet Delta do të rishikohen masat

Vendi ynë ndodhet në alert sa i përket variantit Delta të Covid-19.  Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino,  ka thënë se nëse kemi raste në vend atëherë do të ketë rishikim të masave anti-Covid.

“Nëse do të kemi raste me Delta natyrisht që do të ketë rishikim të masave. Nëse do të vërejmë edhe rritje të numrave të rasteve apo grumbullimeve natyrisht masat do të rishikohen. Imuniteti natyror nuk është i mjaftueshëm duhet vaksinimi i plotë me të dyja dozat është ai që të mbron nga të gjitha variantet,” tha ka deklaruar për mediat ekspertja.

Dy ditë më parë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi se kishte sinjale për prezencën e variantit Delta.

“Në Institutin e Shëndetit Publik janë duke u bërë analizat dhe është vlerësuar që një seri mostrash, të cilat janë identifikuar si sinjale të pazakonta, të çohen në Laboratorin e Referencës në Gjermani, për të bërë vlerësimet e mëtejshme dhe për t’u bërë sekuencimi genomik, në mënyrë që të shihet nëse ka një qarkullim të mundshëm të variantit Delta në Shqipëri”, bëri me dije Manastirliu.

Më tej Ministrja shpjegoi se grup-mosha më mirë e mbuluar sa i takon vaksinimit është ajo 70-79 vjeç, ndërsa bëri apel për qytetarët për ta shfrytëzuar sa më parë mundësinë për t’u vaksinuar. Sipas Ministres së Shëndetësisë, plani kombëtar i vaksinimit parashikon vijimin e vaksinimit të kombinuar por edhe ditët e hapura të vaksinimit +18 vjeç, të cilat do të rikthehen sërish në muajt korrik dhe gusht. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,011,297 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 429,191 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë