Muzike

Billie Eilish, Nicki Minaj, Katy Perry… / Artistët kërkojnë ndalimin e përdorimit të AI në industrinë e muzikës

Billie Eilish dhe Nicki Minaj janë mes 200 artistëve që bëjnë thirrje për ndalimin e përdorimit të inteligjencës artificiale (AI) në industrinë e muzikës.

Në një letër të hapur të nënshkruar gjithashtu nga Katy Perry dhe përfaqësuesit e Frank Sinatra, ato paralajmërojnë se AI do të jetë një kërcënim nëse nuk kontrollohet.

Gjigantët e teknologjisë duke përfshirë YouTube kanë testuar mjetet e krijimit të muzikës nga AI.

"Ne duhet të mbrohemi nga përdorimi grabitqar i AI për të vjedhur zërat e artistëve," thanë artistët, duke u bërë thirrje kompanive të teknologjive që të zotohen se nuk do të zhvillojnë mjete të gjenerimit të muzikës me AI, “që minojnë ose zëvendësojnë mjeshtërinë njerëzore të kantautorëve dhe artistëve, ose që na mohojnë kompensimin e drejtë për punën tonë".

Në një letër të hapur të organizuar nga grupi i fushatës ‘Aleanca për të Drejtat e Artistëve’, artistët thonë se AI do të "shkelë të drejtat tona dhe do të zhvlerësojë të drejtat e artistëve njerëzorë" nëse përdoret në mënyrë të papërgjegjshme.

Ata thanë se mënyra se si puna e artistëve përdoret për të trajnuar disa modele dhe sisteme të AI ishte "një sulm ndaj krijimtarisë njerëzore" dhe paralajmëruan se po përdorej për "shkeljen e të drejtave të krijuesve dhe shkatërrimin e ekosistemit muzikor".

Tom Kiehl, kreu i përkohshëm i shoqatës së industrisë UK Music, tha se ai ndan shqetësimet e artistëve që ankohen se puna e tyre po përdoret për të trajnuar AI pa lejen e tyre.

“Këto praktika duhet të ndalojnë dhe duhet të ketë një qasje më të përgjegjshme ndaj industrisë muzikore,” tha ai.

Shumë artistë kanë folur për mënyrën sesi përdoret AI në muajt e fundit, pasi një këngë e AI që imitonte zërat e Drake dhe The Ëeeknd u bë virale në internet.

Drake shprehu mosmiratim për këngën që tingëllonte shumë si ai, por në fakt u krijua duke përdorur AI dhe u shfaq në Spotify dhe Apple Music përpara se të tërhiqej papritmas.

Artistë të tjerë që atëherë kanë folur për të, me Sting që i tha BBC-së se ai beson se muzikantët përballen me "një betejë" për të mbrojtur punën e tyre kundër rritjes së këngëve të shkruara nga AI.

Por jo të gjithë artistët kundërshtojnë zhvillimet ose përdorimin e AI në të gjithë industrinë e muzikës. Grimes dhe DJ David Guetta janë ndër ata që mbështesin përdorimin e mjeteve të tilla të AI.

Grimes madje ka inkurajuar fansat dhe muzikantët e rinj që të përdorin zërin e saj për të krijuar këngë në AI.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë