Ngjarje

Biletat, kryefjala e Kombëtares… (ka ende shpresë për ata që kanë mbetur pa bileta)

Prej 4 ndeshjesh, biletat e ndeshjes së Kombëtares shqiptare janë kthyer në gjënë më të kërkuar dhe më me vlerë në shoqërinë tonë.

Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që për një biletë të Kombëtares të paguhet dyfishi, trefishi, vetëm e vetëm që të jemi të pranishëm në stadiumin "Air Albania", për të mbështetur ekipin, por edhe për të qenë dëshmitar të këtij rrugëtimi drejt Europianit të Gjermanisë në vitin e ardhshëm.

Kjo nuk është natyrale për ne, për Shqipërinë, për futbollin tonë. Kjo ka bërë që edhe për një biletë, të flitet kaq shumë, të pritet kaq shumë, paguhet po kaq shumë dhe në fund shumica të mërzitet që nuk e siguroi dot. Edhe një pakicë, krahasuar me ata që duan të jenë, të gëzohen se do të jenë edhe më 20 nëntor, me shumë gjasë për të festuar kualifikimin e dytë në finalet e një Europiani për Shqipërinë.

300.000 kërkesa për 21.300 vende që ka stadiumi kombëtar, ishin për ndeshjen me Çekinë, e vlefshme sa edhe kualifikimi për ne. Kalimi i shitjes së biletave digjitale, apo online, e ka mbyllur biletarinë lokale, apo ato pika shitjesh, që çdo sportdashës që ka ndjekur futboll në Shqipëri, klube apo Kombëtare të çoroditet, apo të mos dijë dhe në fund të zhgënjehet.

Sot Kombëtarja është në biletarinë globale të internetit, ku shqiptarë jashtë vendit, më të mësuar tashmë, me mënyrën e blerjes dhe funksionimit të teknologjisë, por edhe më të shumtë në numër, të jenë pjesë e blerjes së këtyre biletave që gjithnjë e më tepër po bëhen më të pakapshme.

Mbrëmjen e së enjtes biletaria online u hap në orën 20.45, për shitjen e biletave për ndeshjen e fundit të këtyre eliminatoreve të “Euro 2024”-s, ndaj Ishujve Faroe, ku pritet të festohet edhe kualifikimi ynë për në finalet e Europianit. Për të përfunduar shitjen pak më shpejt se mesnata, ku në rreth 2 orë e gjysmë u shitën 14.000 bileta, sa kishin dalë në shitje. Ndërkohë që në këtë hark kohor rreth 70.000 veta ishin online në pritje dhe tentativë për t'i blerë.

Gazeta Si ka mësuar se këto ditë mund të dalë më shitje dhe një pjesë e vogël prej rreth 1.500-2.000 biletash, të cilat ishin të sektorit mik, por duke qenë se tifozeria mike e Ishujve Faroe nuk ka kërkuar asnjë biletë, edhe ato do t'i vihen në dispozicion tifozëve shqiptarë, që sigurisht nuk do të mjaftojnë dhe jo të gjithë ata që duan, të mund të futen në stadium. Megjithatë të gjithë sportdashësit do të jenë të gëzuar e të kënaqur që Shqipëria për të dytën herë në histori, pas “France 2016”-tës, do të jenë në finalet e një tjetër Europianit, atij të “Gjermani 2024”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë