Në Shqipëri në 2017 kanë ardhur më pak studentë të huaj për të studiuar. Të huajt që kanë ardhur për qëllim studimi në vend janë sa 5, 1 % e totalit të të huajve në Shqipëri.
Trendi rënës i shtetasve të huaj që studiojnë në vendin tonë ka nisur në 2016 pas bumit që ndodhi në 2015 kur numri i studentëve të huaj në Shqipëri ishte 842.
Në vitin 2017 kanë studiuar në vendin tonë 656 studentë, 4 më pak se në 2016-ën.
Në fakt, në 2014-2015 qeveria shqiptare nisi reformën në arsimin e lartë duke “i vënë ruspën” universiteteve dhe shkollave të arsimit të lartë, publike apo private në bazë të disa kritereve.
Në atë kohë, në fillimvitin akademik 2014-2015, pas përfundimit të fazës së parë të reformës në arsimin e lartë, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, zhvilloi një takim të tensionuar me drejtuesit e universiteteve, të cilëve u dha rekomandim për mbyllje dhe heqje licence për një periudhë 2 vjeçare. Takimi i ministres me drejtuesit e universiteteve, u shoqërua me debate dhe akuza sa i takon masave të marra nga qeveria për këto universitete të cilat konsistonin në pezullim aktiviteti dhe heqje licensash.
Më herët, në vitin 2012, një skandal shpërtheu në lidhje me shitjen e diplomave.
Djali i ish-liderit të Lega Nord, Umberto Bossi, i dorëhequr nga posti i tij që mbante deri pak kohë më parë asokohe, rezultonte i diplomuar në Shqipëri në Universitetin Kristal në atë kohë.
Ngjarja u zbulua nga hetuesit e Prokurorisë së Napolit dhe Milanos, të cilët po merreshin me zbardhjen e skandalit që kishte të bënte me shpërdorimin e fondeve të partisë, ku ishte përfshirë fillimisht financieri i Lega Nord, por më pas edhe vetë kreu i kësaj partie, Bossi. Ata kanë zbuluar diplomën shqiptare të Renzo Bossit.
Diploma universitare e marrë pranë universitetit privat ‘Kristal’, në Tiranë, në degën administrim biznesi, mbante datën 29 shtator të vitit 2010.
A janë ndjerë studentët e huaj të pasigurt për cilësinë e studimit në Shqipëri?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.