Ngjarje

Biblioteka Kombëtare, nga zjarri, përmbytjet te xhamat e thyer

Vitet e fundit, Bibliotekës Kombëtare nuk i janë ndarë as fatkeqësitë. Më 2017, një zjarr i shkaktuar nga rrjeti elektrik dogji afro 3 mijë kopje librash, një vit më vonë ata u përmbytën nga reshjet e shiut duke dëmtuar 12 mijë njësi bibliotekare, ndërsa pamjet e trishtueshme të punonjëseve që rrekeshin me ç’të mundnin  të shpëtonin ndonjë syresh, duke e nderë apo tharë me tharëse flokësh, mbushën rrjetin dy vjet më parë dhe nga sot, ajo do të jetë e mbyllur për një periudhë të pacaktuar për shkak të dëmtimeve që pësoi nga protestat në kryeqytet për vrasjen e Klodian Rashës, nga një efektiv policie.

Me gjithë investimet që thuhet të kenë kapur vlerën e 27 milionë lekëve në 7 vitet e fundit dhe u premtua rikonstruksion, marsi i këtij vitit dha shpresën për një godinë të re.

Tirana është i vetmi qytet pa bibliotekë. Ajo bibliotekë kombëtare është përmbytur prej 20 vjetësh, jo nga uji, por nga vetvetja. Libri nuk do lagej nëse s’do kishte mbingarkesë me libra. Aty nuk ka më korridor, por ka libra përtokë , do të shprehej  dy vjet më parë  Aurel Plasari, ish-drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Pas zjarrit në BKSH, 2017 u dogjën mbi 3 mijë njësi bibliotekare

Një katedrale 100 vjeçare  të librave, e cilësonte ministrja e Kulturës, Elva Margariti Bibliotekën Kombëtare, në ekspozitën “Verba Volant,  Scripta Manent”, të çelur për  të kremtuar njëqind vitet e jetës së saj, në hollin e Kryeministrisë...

E themeluar më 1920, tanimë as godina e vjetër në Rrugën “George Bush” përballë Parlamentit e as e reja, në Pallatin e Kulturës nuk e kanë më kapacitetin për të strehuar tituj të rinj. Nevojën për një  godinë të re e artikuloi ish-drejtoresha Persida Allsani, ndërsa drejtori i ri Piro Misha e sheh depresive godinën në hyrje, me një portë duralumini që nga koha e regjimit komunist.

Lajmi i mirë u duk se erdhi gjatë marsit, kur Bashkia Tiranë çeli konkursin për ndërtime me fokus kulturën dhe argëtimin pranë Gardës, në krah të Liqenit.   Agjencia e Prokurimeve Publike publikoi  një tender të  Bashkisë Tiranë,  gjatë pandemisë.

Synimi i tenderit ishte  ndërtimi i një kompleksi godinash të integruara në zonën e Gardës së Republikës, ku do të vendosen Biblioteka Kombëtare dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë.

Biblioteka pas përmbytjes 2018, u dëmtuan më shumë se 12 mijë njësi bibliotekare

Gjatë çeljes së ekspozitës “Verba Volant, Scripta Manent”, me botime antike të Bibliotekës Shqiptare të ekspozuara për herë të parë për publikun, kryeministri Rama theksoi se me gjithë dëshirën për të festuar në godinën e re të Bibliotekës, projekti u detyrua të ndalej nga tërmeti dhe vazhdon të jetë edhe sot për shkak të mbivendosjes së dëmeve nga tërmeti dhe situatës së rëndë financiare që erdhi si pasojë e pandemisë.

Dëmtimet e fundit që ka pësuar Biblioteka Kombëtare përfshijnë hyrjen kryesore, si edhe 21 xhama të dritareve.

Nga protestat e 10 dhjetorit, dëmtohet hyrja kryesore dhe thyhen 21 xhama dritaresh

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë njofton se është ngritur Grupi i Emergjencës për të marrë masat e menjëhershme për riparimin e dëmeve të shkaktuara si dhe rikthimin në normalitet.

Me 1 milionë  e 300 mijë libra pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare, kryeministri Rama theksonte rëndësinë e dixhitalizimit të tyre.

Gëzuar një shekull jetë e gëzofsh edhe shumë të tjerë pas nesh, në një tjetër tempull, ku të ruhen veprat e saj të pakohshme!”, shprehej Margariti në 100 vjetorin e Bibliotekës, që edhe njëherë përtej masave të mbylljes  gjatë pranverës së karantinës, i duhet të mbyllet edhe njëherë duke treguar se koha ka ardhur që ajo të lëvizë prej qendrës dhe po ashtu tregon nevojën për një bibliotekë qyteti, ku Tirana duket nga të vetmit qytete që nuk e ka një të tillë..


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë