Ngjarje

Besimtarët sfidojnë motin, festohet Dita e Ujit të Bekuar

Besimtarët ortodoksë kremtojnë këtë të dielë Ditën e Ujit të Bekuar. Kryeqendra e festës është në qytetin e Beratit.

Siç e do tradita, besimtarët sfidojnë temperaturat e ulta dhe hidhen në ujë për të kapur kryqin, që këtë vit u hodh në lumin Osum nga At Petraq Simsia.

Festa është kryer edhe në qytetin e Durrësit, ku kryqi është hedhur në ujërat e Adriatikut pranë Portit të Durrësit.

Festime pati edhe në Korçë, Fier e Lushnje, ku dhjetra besimtarë, kryesisht të rinj sfiduan temperaturat dhe ujin e ftohtë dhe u zhytën në ujë për të nxjerrë kryqin e bekuar.

”Në moshën 30-vjeçare, Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, u shfaq mbi ujërat e lumit Jordan, që të pagëzohet nga Gjon Pagëzori dhe Jezusi sapo u pagëzua, qiejtë u hapën e një zë nga qielli tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur” shkruhet në ungjill.

Këtu e ka zanafillën besimi se uji i bekuar është mjet pastrimi i shpirtit të mëkatarit, ndaj dhe çdo 6 janar besimtarët ortodoksë bëhen pjesë e ritualit të Ditës së Ujit të Bekuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë