Ekonomi

Besimi në ekonomi, bizneset dhe konsumatorët presin rënie të çmimeve. Tregtarët, pesimistë

Nga Gazeta 'SI' - Treguesi i ndjesisë ekonomike është rritur me 0.6 pikë gjatë shtatorit, ndikuar nga rritja e besimit në industri, shërbime dhe ndërtim.

Për konsumatorët treguesi nuk pati ndryshime, ndërsa për sektorin e tregtisë shënoi një rënie të lehtë.

Matjet e Bankës së Shqipërisë thonë se treguesi i besimit në tregti ra me 2.3 pikë përqindje në muajin shtator, pasi këto biznese presin rënie të nivelit të punësimit. Ecuria e biznesit dhe pritjet për çmimet janë po ashtu në rënie.

Treguesi i besimit të konsumatorëve qëndroi në të njëjtin nivel të një muaji më parë, ndërsa presin një rritje të papunësisë, por rënie të çmimeve.

Bizneset e shërbimit kanë pasur rritjen më të fortë të besimit gjatë shtatorit, me 3.1 pikë përqindje, ndikuar nga vlerësimet optimiste për aktivitetin e biznesit dhe kërkesës. Gjithashtu, pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen janë rishikuar për lart. Bizneset kanë rishikuar për poshtë ecurinë e çmimeve në të ardhmen.

Industria ka pasur një rritje me 2.5 pikë përqindje të treguesit të besimit, ndikuar nga kërkesa e bizneseve dhe ecurinë e eksporteve. Industria pret rritje të çmimeve.

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 1.2 pikë përqindje në shtator, drejtuar kryesisht nga vlerësimet më optimiste për aktivitetin aktual ndërtues. Pritjet për punësimin u rritën lehtë, ndërsa pritjet për çmimet regjistruan rënie këtë muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë