Dosje

Besa, trafiku i drogës me nëndetëse dhe ‘Ndragheta’, ngjitja e shpejtë e mafies shqiptare dhe lidhja me klanet kriminale

Si një aktor i thjeshtë mbështetës, mafia shqiptare është imponuar në të gjithë botën. Sipas një raporti të fundit të Europol, ajo kontrollon një pjesë të madhe të tregut britanik të kokainës dhe në Evropë ka interesa të forta në Gjermani, Belgjikë, Zvicër, Bullgari dhe Greqi. Për arsye logjistike dhe afërsisë, vendi ku biznesi i tij lulëzon më shumë është Italia.

Por mënyra e funksionimit, skemat, zgjerimi që ka pësuar ndër vite, duke u kthyer nga korrierë të zakonshëm, në një “model” për organizatat e tjera kriminale, është ajo që tërheq më shumë edhe specialistët.

Në një artikull të zgjeruar, media italiane "Ilpost", përshkruan mënyrën sesi mafia hqiptare u ngrit dhe bashkëpunon me grupe të fuqishme kriminale në të gjithë botën.

Nga Amerika e Jugut, tek ajo e Veriut e deri në zemër të Europës. Me mënyra transportimi nga më të ndryshmet, përfsirë dhe përdorimin e nëndetëseve për trafik. Dhe i gjithë ky “mund”, përveç aftësisë dhe guximit, ka të bëjë edhe me “besën”, fjalën e dhënë që kur shqiptari e jep, e mban. Shumë e rëndësishme për klanet kriminale.  

“Midis viteve 2018-2020, shumica e arrestimeve në Evropë për trafik kokaine, përfshinin shtetas shqiptarë: 266 persona, më shumë se 257 brazilianë dhe 168 kolumbianë të arrestuar në të njëjtën periudhë. Rritja e arrestimeve përkoi edhe me ndryshimin: nëse prej vitesh trafikantët shqiptarë ishin kufizuar në fuqinë punëtore të organizatave të tjera kriminale, tashmë grupet kriminale, të strukturuara sipas modelit të ‘Ndranghta-s’ italiane, kanë ndërtuar marrëdhënie solide me trafikantët e drogës në Amerikën e Jugut, veçanërisht në Ekuador, ku kanë rritur ndikimin e tyre”.

Gjatë një konference në gusht të këtij viti, Nicola Gratteri, prokuror në Katanzaro, cili ka qenë i përfshirë në luftën kundër ‘Ndrangheta’-s për vite me radhë, tha se “për të paktën tre vjet kam thënë se në Evropë ka një mafie që po shfaqet, ajo shqiptare. Shqipëria është një vend i korruptuar, ku është e lehtë të korruptosh zyrtarët publikë. Nëse pastaj del nga Shqipëria dhe ke një fuqi ekonomike, mund të forcohesh si mafie ndërkombëtare”, tha ai.

Dëshmitë e aktivizimit të mafies shqiptare

Për shembull, në shtator 2020, operacioni “Los Blancos” goditi klanin më të fortë shqiptar në Evropë, “Kompania Bello”. Policia italiane, Europol dhe Eurojust, agjencia evropiane për bashkëpunimin gjyqësor penal, morën pjesë në operacion.

Hetimet nisën me një sherr të dhunshëm të ndodhur në vitin 2014 në qendër të Firences. Dy grupe të kundërta shtetasish shqiptarë u përplasën, duke konkurruar për sheshet e prostitucionit mes Firences dhe Pratos. Pikërisht këtu policia zbuloi se disa nga të arrestuarit ishin të përfshirë edhe në trafik droge.

Për të komunikuar me njëri-tjetrin, anëtarë të ndryshëm të organizatës përdorën sistemin e mesazheve të telefonave celularë ‘BlackBerry’: në vijim të komunikimeve dhe pas një hetimi prej vitesh, policia europiane zbuloi një trafik kokaine që nga Ekuadori, që mbërrinte në portet e Anversës (Belgjikë) dhe Roterdamit (Holandë).

Nga këtu kokaina nisej drejt Italisë me kamionë me xhepa të dyfishtë. "Në çdo paketë", shpjegon Prokurori i Anti-mafias Italiane, Federico Cafiero de Raho, ‘marka Bello’ "u vendos për të vërtetuar cilësinë e supozuar të produktit".

Koka e grupit, Dritan Rexhepi

Gjatë operacionit, 21 shtetas shqiptarë përfunduan në burg, ndërsa 80 të tjerë ishin arrestuar më parë në Holandë, Shqipëri, Belgjikë, Ekuador, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Rumani dhe Hungari. Në atë kohë, u kapën edhe dy nga drejtuesit e organizatës: Denis Matoshi, 40 vjeç, i arrestuar në Dubai dhe Dritan Rexhepi, 40 vjeç, i kapur në Ekuador.

Rexhepi, i konsideruar si kreu i “Kompania Bello”, kishte shumë vite që banonte në Ekuador. Ai kishte mbërritur atje pas shqiptarit tjetër, Adriatik Tresës, liderit shumëvjeçar të mafies shqiptare në Amerikën e Jugut, i cili u vra më 20 nëntor 2020 në komunitetin e mbyllur të La Auroras, pranë Guayaquil, qytetit më të populluar të vendit.

Katër vrasës të maskuar si policë u shfaqën në derën e vilës së tij, vranë atë dhe truprojat e tij dhe u larguan. Tresa njihej mirë nga forcat policore amerikano-jugore dhe ato evropiane. Ai kontrollonte një pjesë gjithnjë në rritje të tregtisë së kokainës nga një kontinent në tjetrin dhe në Ekuador kishte gjetur një bazë solide dhe komode.

Pse pikërisht Ekudori?

Ka shumë arsye pse mafia shqiptare ka zgjedhur Ekuadorin si qendër të biznesit të saj: 700 kilometrat e kufirit me Kolumbinë, vendndodhja qendrore, portet dhe mbi të gjitha korrupsioni i përhapur mes policëve dhe gjyqtarëve.

Prania e trafikantëve shqiptarë të drogës në vend është raportuar që në fillim të viteve 2000. Në vitin 2011, drejtori për Amerikën e Jugut i DEA-s (Administrata e Luftës Kundër Drogës) amerikane, Jay Bergman, tha: "Ka banda kriminale shqiptare, ukrainase, italiane, kineze në Ekuador, të gjithë kanë një pjesë të produktit për të shpërndarë në vendet e tyre përkatëse".

Lidhja me FARC-un dhe përdorimi i nëndetëseve

Deri në vitin 2016, mafia shqiptare kufizohej në mbështetjen e organizatës italiane, 'Ndrangheta', e cila kontrollonte trafikun nga Amerika e Jugut. Atë vit, megjithatë, pati një zgjerim të madh të kërkesës nga vendet evropiane: prodhimi u rrit dhe narko-trafikantët e Amerikës së Jugut kërkonin bashkëpunëtorë të tjerë. Shqiptarët ishin gati. Ata bënë marrëveshje me “Constru”, një nga grupet më të forta paraushtarake, të formuara nga ish-anëtarë të FARC-ut, Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë dhe pronarë të fushave në departamentin Putumayo, ku prodhimi i kokainës është i madh.

Shqiptarët ishin ndër të parët që shfrytëzuan nëndetëset për të transportuar kokainë nga Ekuadori në Amerikën Veriore dhe Qendrore. Një nëndetëse me shtatë tonë kokainë u zbulua në vitin 2013 në Limones, në provincën e Esmeraldas, në Ekuadorin verior.

Edhe në Itali, mafia shqiptare filloi si një aktor mbështetës dhe më pas u vendos si një organizatë e pavarur dhe gjithnjë e më e fuqishme. Sipas raportit vjetor 2020 të DIA, Departamenti i Hetimit Anti-Mafia, thuhet: “Kriminelët shqiptarë të pranishëm në pjesën më të madhe të territorit kombëtar, shprehen përmes niveleve të ndryshme të operacioneve. Disa veprojnë brenda grupeve të vogla, duke përfshirë grupet multietnike, për kryerjen e krimeve kundër pronës. Në raste të tjera, është konstatuar prania në vend e organizatave kriminale të strukturuara dhe afatgjata që veprojnë në mënyrë të ngjashme me ato të "mafieve tipike". Krimi shqiptar është kryesisht aktiv në trafikun e drogës dhe armëve, si dhe në shfrytëzimi njerëzor i prostitucionit ndonjëherë në marrëveshje funksionale me organizata të grupeve të ndryshme etnike (rumune dhe nigeriane)”.

Raportet e mafieve italiane-shqiptare

Mafia shqiptare ka marrëdhënie të thella me të gjitha grupet italiane të krimit të organizuar. Marrëdhëniet me mafien siciliane, datojnë që në vitet 1990 kur organizata famëkeqe “Cosa Nostra”, e goditur rëndë nga iniciativat e zbatimit të ligjit, gjeti një aleat efektiv te familjet shqiptare.

Sipas njoftimeve të policisë, familje të rëndësishme mafioze tashmë kanë selinë e tyre në Vlorë të Shqipërisë, ndërsa në Itali kanë kontraktuar trafikun e prostitucionit me organizatat shqiptare.

Marrëdhëniet e biznesit me 'Ndrangheta'-n kalabreze janë shumë të ngushta. Elementë të rëndësishëm të “Kompania Bello”, të arrestuar më vonë, jetonin në Kalabri, në Platì dhe Bovalino. Një bashkëpunim i ngushtë mes 'Ndrangheta'-s dhe krimit shqiptar është zbuluar prej kohësh në veri të Italisë, veçanërisht në Piemonte dhe Liguria.

Me “Sacra Corona Unita”-n, mafien puljeze aktive mbi të gjitha në Salento, marrëveshjet kanë qenë të qëndrueshme prej vitesh. Bandat shqiptare përdorin brigjet e Puljias për të sjellë marijuanë dhe hashash në Itali, veçanërisht nga Vlora: “Sacra Corona Unita” ofron gomone, trafikantë dhe pika ankorimi.

Kodi i nderit, besa dhe familjet

Mafia shqiptare është themeluar vetëm mbi lidhjet familjare. Klanet quhen “Fis” dhe janë shprehje e një ose më shumë familjeve që kanë ende lidhje gjaku mes tyre. Ekziston një këshill qeverisës, “Bajraku”, i krahasueshëm me kupolën mafioze italiane.

Secili grup ka një kryetar, i cili nga ana e tij ka një zëvendës që është njeriu i ndërlidhjes me të gjithë anëtarët e organizatës. Askush, brenda klanit, nuk konsiderohet punëtor.

Një gazetar anglez, John Lucas, i cili ka studiuar për një kohë të gjatë klanet kriminale shqiptare, ka shkruar se “gangsterët shqiptarë thonë se ndjenja e nderit i pengon të marrin urdhra. Marrëdhëniet kriminale janë të barabarta dhe kur një shef merr vendime, zakonisht jepen udhëzime me respekt, për të shmangur ofendimin e të tjerëve”.

Nuk ka formulë betimi për anëtarët e klanit, megjithatë, ekziston një kod i pashkruar, i bazuar në besën, pra besimi, respektimi  dhe mbajtja e fjalës. Në fund, Lucas shpjegon: “Besa është një farë kodi nderi të përmbledhur me këtë moto: ‘Kur një shqiptar të jep fjalën, ai të jep djalin e tij’”.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë