Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, prezantoi sot raportin e Tranzicionit për Shqipërinë, ku në fokus ishte mjedisi dhe rreziku i ngrohjes globale.
Edhe pse ekonomia shqiptare cilësohet si ‘elastike’ dhe u rikuperua shpejt pas pandemisë dhe ka baza të mira të tranzicionit të gjelbër, ka përsëri disa pika ku mund të përmirësohet.
“Shqipëria duhet të shtojë kapacitetet e energjisë së rinovueshme, që të jetë më pak e ekspozuar ndaj luhatjeve të energjisë. Burimet e ngrohjes dhe më e rëndësishmja rritja e eficiencës energjike janë dy rrugët më të rëndësishme për tranzicionin e gjelbër në Shqipëri”, tha Peter Tabak, ekonomist i parë për Ballkanin Perëndimor.
Ai shtoi se i gjithë rajoni duhet të ndryshojë prioritet dhe të mos ketë më në plan të parë lidhjet politike, por rritjen e aftësisë së njerëzve. Mirëqeverisja është një tjetër element ku Shqipëria dhe vendet e tjera të BP-së duhet të përmirësojnë para se të aderojnë në BE.
Alexander Plekhanov, drejtor i BERZH për tranzicionin e ekonomisë globale, tha se faktorët që do të ndihmonin Shqipërinë në uljen e varfërisë është rritja e aftësisë, trajnimeve dhe ‘rialokimit’ të profesioneve, në kuadër të tranzicionit të gjelbër. Për shtresat në nevojë, BERZH propozon indeksim vjetor të ndihmës sociale.
Po ashtu, për përfaqësuesit e saj faktori i qeverisjes është bazë për rritjen e të ardhurave. “Sa më të pasur bëhemi, aq më shumë rritet dhe qeveria”.
Përveç kushteve sociale, një tregues tjetër që lidhet me shpërndarjen të pabarabartë të të ardhurave, është aksesi i tyre me transportin dhe hapësirat e gjelbra. Shumë shqiptarë, sipas raportit jetojnë 30 minuta larg një hapësirë të gjelbër dhe ky është tregues jopozitiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.