Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ia faturon rritjen e moderuar të ekonomisë shqiptare gjatë 2019-ës, koncesioneve të pakërkuara dhe paqëndrueshmërisë së vazhdueshme politike.
Po ashtu edhe kombinimit me faktorët e jashtëm si ngadalësimi i rritjes ekonomike të Italisë dhe pjesës tjetër të eurozonës dhe vonesa e mëtutjeshme për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE.
Pas përshpejtimit me 4.1 përqind në 2018, rritja e ekonomisë shqiptare është ngadalësuar në vitin 2019.
BERZH në raportin më të fundit për ekonomitë e vendeve ku ajo është prezent, thotë se gjatë gjysmës së parë të 2019-ës, ekonomia shqiptare u zgjerua me 2.4 përqind në vit.
Ngadalësimi, sqaron ajo ka ardhur edhe si pasojë e sektorit energjetik, kurse turizmi mbeti një kontribues i rëndësishëm.
Po ashtu, citon raporti në anën e shpenzimeve dhe investimet e eksportet u ngadalësuan. Papunësia vazhdoi të bjerë gradualisht, por mbeti në nivele dyshifrore, mesatarisht 11.8 përqind në gjysmën e parë të vitit.
Në të njëjtën kohë, inflacioni u ul mesatarisht në 1.5 përqind, duke qëndruar nën objektivin e Bankës Qendrore prej 3.0 përqind për të tetin vit me radhë.
Si pasojë, BSH ka mbajtur në nivel të ulët prej 1.0 përqind që nga qershori i vitit 2018 nromën bazë të interesit.
BERZH vlerëson se borxhi publik mbetet i lartë (66.9 përqind e PBB-së në qershor 2019, duke përjashtuar detyrimet e prapambetura).
Ekonomia parashikohet të zgjerohet me 2.8 përqind në vitin 2019, e nxitur kryesisht nga konsumi privat, dhe do të përshpejtohet në 3.5 përqind në vitin 2020.
Rritja në vendet e BERZH vlerësohet mesatarisht 2.1 % në vit në gjysmën e parë të 2019-ës, nga 3.4 % në 2018-ën dhe 3.8 % në 2017-ën.
Rënia sipas BERZH shpjegohet me reflektimin e dobësimit të vazhdueshëm të ekonomisë turke, të aasaj ruse dhe një rritje të ngadaltë të tregtisë globale dhe ekonomisë botërore në tërësi.
Prodhimi industrial global është ngadalësuar, i udhëhequr nga një tkurrje në sektorin e automjeteve.
Rritja e ekonomisë së Kinës gjithashtu është ngadalësuar, duke ndikuar në kërkesën globale për mallra dhe perspektivën për eksportuesit e mallrave.
Ndryshimi teknologjik ka ndikuar në fluksin e investimeve të huaja direkte (IHD).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.