Filma

“Berlinalja 2021” nis online, shfaqjet publike në qershor

Edicioni i 71-të i Berlinales, Festivali i Filmit në Berlin, do të startojë sot, më 1 mars dhe kompeticioni do të zhvillohet online për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Edicioni i 71-të i Berlinales do të zhvillohet në ‘dy kohë’ me një kompeticion në internet dhe dhënien e çmimeve në mars, si dhe projeksione të hapura për publikun në muajin qershor”, do të theksonin më herët dy drejtuesit e festivalit.

Organizatorët kanë vendosur, që festivali të zhvillohet në dy evente të veçanta. “Industry Event”, që do të jetë online dhe i kufizuar vetëm me pjesëmarrjen e kineastëve dhe gazetarëve nga 1 deri më 5 mars.

Dhe “Summer Special” me shfaqjet publike të filmave nga 9 deri më 20 qershor.

“Industry Event” në radhë të parë do të jetë një platformë alternativë për tregun europian të filmit (EFM), që krahas Kanës dhe American Film Market është ndër tre pikëtakimet më të rëndësishme të degës ndërkombëtare të filmit dhe medias.

Meqenëse këto veprimtari kanë një rend fiks në kalendarin e industrisë së filmit, duhet që Berlinalja të zhvillohet në tremujorin e parë të vitit.

“Organizimi i të gjithë festivalit në qershor sivjet për të mundësuar sinergjinë e zakonshme të Berlinales me publikun, do të ishte shumë vonë dhe jo e favorshme për degën e kinematografisë”, ka shpjeguar zëdhënësja e shtypit të Berlinales, Frauke Greiner.

Ky festival është një nga ngjarjet më të mëdha të tregut ndërkombëtar të filmit në botë.

Festivali i Filmit në Berlin tërheq 480 000 kineastë, yje filmash dhe adhurues në kinematë e kryeqytetit gjerman.

Statuja “Ariu i Artë”, që është edhe çmimi simbol i këtij i festivali, është një nga çmimet më prestigjioze në Europë, së bashku me festivalin e Kanës në Palme d’Or të Francës dhe çmimin Lion i Artë i Festivalit të Filmit në Venecia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë