Politike

Berisha thirrje Donald Trump: Grupet shqiptare të drogës shpalli organizata terroriste

Nga Gazeta Si- Kreu i PD-së, Sali Berisha i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të shpallë kartelet e drogës në Shqipëri si terroriste.

Berisha theksoi se grupet shqiptare janë ndër më të rrezikshmet në rajon, Europë dhe në botë.

“I bëj thirrje presidentit Trump dhe qeverisë së SHBA të deklarojë terroriste këto grupe shqiptare, të cilat janë ndër më të rrezikshmet në rajon, Europë dhe në botë. Të cilat lëvizin miliarda e miliarda euro, para droge dhe që i lajnë ato lirshëm, pa asnjë lloj kufizimi në Shqipëri”, deklaroi ai.

Kreu i PD-së theksoi se kartelet e drogës në Shqipëri janë vendimmarrësit më të fuqishëm në vend, duke shtuar se diktuan rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit.

“Ato diktuan me dhunë dhe drogë rezultate zgjedhjesh në zgjedhjet e fundit, duke i transformuar zgjedhjet e 11 majit 2025 në farsën elektorale më të shëmtuar në historinë e vendit në 34 vite”, tha ish-kryeministri, duke shtuar se deklarimi si organizata terroriste i organizatave mafioze të Shqipërisë është një kontribut serioz, i madh, për sigurinë në Shqipëri, rajon, e NATO-s, Europës e më gjerë.

Berisha tha se Shqipëria ishte dhe është narkoshtet edhe para krijimit të karteleve, por “krijimi i karteleve është rezultat i politikave zyrtare që Edi Rama ndoqi nga viti 2015 gjer sot”, ku shtoi se PD është e gatshme të japë provat që tregojnë implikimin direkt të kryeministrit Rama në këto grupe.

Kryedemokrati ka hedhur akuza edhe ndaj Arkend Ballës, deputetit të zgjedhur të PS-së në votimet e 11 Majit, duke thënë se është në patronazhin e kartelit të drogës.

Berisha deklaroi se Arkend Ballës i është premtuar posti i ministrit të Brendshëm pas zgjedhjeve.

“Arkend Balla, në vitin 2021, kur kumbarët e kartelit nuk e kishin rekrutuar akoma, mori 2463 vota. Arkend Balla në vitin 2025, nën patronazhin e kartelit mori 20718 vota”, deklaroi kryedemokrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë