Nga Gazeta ‘Si’- Teksa sot përkujtohet Lëvizja Studentore e 8 dhjetorit 1990, kreu i demokratëve Sali Berisha, u shpreh se Gjenerata Z do të vijojë misionin e të rinjve.
Ai u shpreh se gjer në mëngjesin e 8 dhjetorit të vitit 1990 në Shqipëri përjetonin shtypjen e diktaturës së egër e cila ndryshoi falë vendosmërisë së studentëve.
“Idealet e rinisë studentore të dhjetorit 1990 ishin dhe mbeten idealet më të larta, më fisnike njerëzore dhe kombëtare shqiptare. Këto ideale, energjia e tyre i bëri shqiptarët më të lirë se kurrë.
U riktheu atyre dinjitetin e munguar njerëzor. Vendosi në Shqipëri pluralizmin e vërtetë politik, sistemin demokratik.
Anëtarësuan Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO, i dhanë asaj propozimin për statusin e vendit kandidat në BE. Kosova u bë e pavarur ndaj dhe 8 dhjetori i vitit 1990 është dita e nderimit të lirisë dhe vlerave të saj nga mbarë shqiptarët, i nderimit të veprës së pavdekshme të prijësit legjendar të asaj lëvizje,
Azem Hajdari dhe studentëve liberatorë që shkallmuan dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët.
Azem Hajdari dhe studentët liberatorë do mbeten të pavdekshëm në panteonin e lirisë së kombit shqiptar përgjithmonë”, tha Berisha.
Ai u ndal edhe te situata e sotme, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mbron vjedhjet dhe se është armik i të rinjve.
“Ai sot është i pari kryeministër që mbron publikisht vjedhjet e tij dhe ministrave të tij. Sot më 8 dhjetor Rama vjen si armiku më i egër i të rinjve shqiptarë në tërë historinë tonë. Në 10 vitet e sundimit të tij plaçkitës dhe narkoregjim me politikat e tij përzuri nga Shqipëria rreth 700 mijë të rinj dhe të reja”, tha ai.
Sipas Berishës, “shpresa e vetme për të përmbysur regjimin Ramaduro është rinia shqiptare, është gjenerata Z, është gjenerata që ka bërë historinë në botë vitet e fundit”.
Në ceremoni foli edhe djali i Azem Hajdarit i cili mban të njëjtin emër me të. Azem Hajdari falenderoi të gjithë të pranishmit që mbajnë gjallë kujtimin e babait të tij dhe të gjithë heronjve të dhjetorit ‘90.
“Kujtojmë heronjtë e asaj kohe që ishte babai im, ju falenderoj që bëni pjesë këtu sot dhe mbajmë përherë kujtimin gjallë dhe ndjekim të njëjtat ideale jo për veten tanë për fëmijët tanë, për nipërit tanë, për mbesat tona, për shtetin tonë dhe për të ardhmen tonë që mendoj se do të jetë e sigurt nëse ne luftojmë”, tha djali i Azem Hajdarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



