Politike

Berisha për Kongresin e PS-së dhe Ramën: Përgatiti shqiptarët për ‘Jo’-në e BE-së

Gazeta Si – Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sot gjatë një konference për shtyp Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së. Ai është shprehur mes të tjerash se fjalimi i Ramës ishte një parapërgatitje për shqiptarët për ‘Jo’-në e BE-së në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Sipas Berishës, “Rama foli për refuzimin e Greqisë”… por “harroi se standardet europiane, demokratike i kërkojnë të gjitha vendet e lira dhe demokratike të Europës për t’u zbatuar”.

“E vërteta është se proces integrimi me Edi Ramën nuk ka. E gjithë ajo që dëgjuan shqiptarët ishte një parapërgatitje për një ‘JO’ për hapjen e negociatave, pikërisht për shkak të vendosjes së një diktature të re, diktaturë të bazuar në bandën, krimin dhe drogën. Ajo që ndodh me Belerin është dhunimi më flagrant i të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë. Dhunim për interesa mafioze, kanë folur për Olta Xhaçkën, jo mo jo, nuk është vetëm Olta Xhaçka, janë Olsi Rama, Edi Rama dhe klanet e tyre që janë vërsulur me tërbim ndaj pronave në Himarë dhe në të gjithë bregun.
Ai nuk foli se kriteret demokratike janë kritere themelore në procesin e integrimit, sepse vetë Komisioni Europian, zyra direkt e përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme, denoncoi publikisht bllokimin e komisioneve hetimore parlamentare, çka do të thotë grusht shteti brenda shtetit. Marrje e pushtetit të parlamentit. Do të thotë refuzim kategorik i kontrollit mbi të për afera të tmerrshme vjedhjeje”, tha Berisha.

Sipas tij, “me këtë fjalim (Edi Rama) po përgatit izolimin e plotë të Shqipërisë. Se ne qenkemi në rregull, por se Europa nuk është në rregull. Se Europës njëherë i del një problem diku, një herë një problem tjetër”.

“Çfarë problemi i del Europës, kur ne shkelmojmë Kushtetutën tonë? Çfarë problemi i del Europës, kur ky firmos 17 vendime në 24 orë për të vjedhur me djegësin e Tiranës deri në 1 miliard? Çfarë problemi ka Europa, kur ky vrapon me një gërshërë të thyer për të promovuar vjedhjen me rritjen 83 herë të çmimeve? Cili është problemi i Europës në këtë rast? Çfarë problemi ka Europa, kur rriten me 25 herë tenderimet sekrete nga zyra e tij? Kanë bërë një ligj, të vjedhin fshehtas. Si qenka problem i Greqisë ky apo problem hipotetik i Europës?”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, Shqipëria rrezikon më 12 dhjetor të marrë një karton të kuq. “Dhe pse? Vetëm e vetëm për shkak të qëndrimeve mafioze të Edi Ramës, i cili interesat e pasurimit të tij, interesat e pasurimit të klaneve të tij, i vendos mbi interesat e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Sali Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë