Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa i konsideroi sërish zgjedhjet si farsë elektorale, kreu i PD Sali Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për bashkëpunim të ngushtë me krimin e organizuar.
Sipas Berishës, komuniteti ndërkombëtar i qendrës së djathtë i dënoi me dënim kapital me datën 30 prill 2025, zgjedhjet që do zhvilloheshin 10 ditë më vonë në Shqipëri.
“Cilido që lexon rezolutën e Valencias, të censuruar në mënyrën më totale, pothuaj, nga mediat e qeverisë për shqiptarët, konstaton se ajo rezolutë i thotë opinionit publik ndërkombëtar dhe shqiptarëve se në Shqipëri nuk do ketë zgjedhje por farsë elektorale. Kjo është e vërteta absolute”.
Berisha deklaroi se rezolutat ndërkombëtare flasin qartë sipas tij për blerje votash me para dhe kanabis, përfshirë dhënien e pensioneve dhe licencave, dhe se prokuroria dhe politika mbështesin këtë sistem kriminal.
“Komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk udhëhiqet nga paragjykimi. Ose thotë, kur nuk ka siguri, thotë ka dyshime. Por këtu nuk thotë se ka dyshime, ka deklaruar se Edi Rama po blen vota me lekë. Se ka parë vendimin për dhënien e 100 eurove për pensionistët. Ka deklaruar se po blen vota me kanabis sepse ka parë vendimin e dhënies së 138 licencave. Nuk ka deklaruar se do falë gjoba, se ky vendim ishte i dy ditëve të fundit. Pra, kemi të bëjmë një vdekje të paralajmëruar të procesit zgjedhor dhe zhvillimin e paralajmëruar të një farse të plotë zgjedhore siç zhvillohet në të gjitha regjimet narkodiktatoriale”, theksoi Berisha.
Duke folur me emra, Berisha tha se në parlament kanë hyrë sipas tij 28 deputetë të lidhur me botën e krimit, vetëm katër prej të cilëve kanë marrë mbi 80 mijë vota.
“Vetëm tre nga këta kandidatë ose katër nga këta kandidatë, kanë 80 mijë vota të regjistruara. Kampion është natyrisht Sara Mile. Kampion është Arkend Balla. Kampion është Ani Dyrmishi. Kampion është Blendi Xhabafti. Këta të katër së bashku bëjnë rreth 80 mijë vota dhe këta janë vetëm pararoja e kontingjentit të krimit të 28 deputetëve që bandat morën urdhër nga Edi Rama për t’i mbështetur.
Avokatëve të farsës elektorale të narkoqeverisë u them se duke mbrojtur farsën, kryeni një krim të shëmtuar kundër lirive më themelore të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.