Politike

Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës, thirrje SHBA-së dhe BE-së për hetime

Nga Gazeta ‘SI’ - Që në hyrje të fjalës së tij në protestën e opozitës përpara kryeministrisë, Sali Berisha tha se  “Revolucioni Demokratik” që sipas tij ka nisur, do të shërbejë për të thënë ca të vërteta.

“Sot Shqipëria shihet si një vend ku mafia dhe kartelet e drogës pastrojnë paratë e krimit. Në dy vitet e fundit, importet nga Kolumbia janë rritur 60 herë për të shndërruar këtë tokë të bekuar, në një Kolumbi të dytë për Europën.”

Duke iu referuar hetimit të ish agjentit të FBI-së , McGonigal, që ai e konsideroi “Watergate”-i shqiptar dhe një nga skandalet korruptive më të mëdha, e cilësoi kryeministrin Rama si një rrezik kombëtar.

“Pse duhet të durojnë shqiptarët këtë poshtërim, këtë nxirje të imazhit të kombit? Imagjinoni sikur të ndodhë që një njeri si ky, të bëjë hapin në samitin e NATO-s, çfarë do të ndodhë me Shqipërinë dhe shqiptarët?”, - tha Berisha.

Ai i bëri thirrje SHBA-së që  të hetojnë për Sorosin dhe planet e tij kundër opozitës shqiptare e cila u paragjykua në protestën e fundit.

“I bëj thirrje qeverisë së SHBA-së, Kongresit, institucioneve të vendit të madh, të hetojnë të gjithë çfarë ndodhi këto ditë me opozitën shqiptare.Të hetojnë veprimtarinë e Sorosit në Shqipëri, se si ky multimilairder bëri gjithçka për të ngritur në piedestal këtë kryekorruptor.

Është në interes të vetë BE-së të hetojë për korruptimin e ish-agjentit të FBI-së”,- tha Berisha.

“I bëj thirrje Parlamentit Europian, qeverive të vendeve mike, të hetojnë dhe shqyrtojnë. Skandalet e Duçkës së Edi Ramës janë zinxhir. Duke korruptuar një nga njerëzit më të çmuar në fushën e sigurisë së vendit që ka bërë më shumë se çdo tjetër për lirinë e shqiptarëve, ti Edi Rama ke kryer një akt armiqësor, për të cilin Putini është gati të të varë në qafë dekoratën më të lartë”, -theksoi Berisha.

Berisha duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama tha dhe se protesta nuk do të ndalet duke parlajmëruar Ramën se “idealet tona, idealet e këtij revolucioni shpojnë çdo blind, asgjësojnë çdo tank”, që sipas tij kishin rrethuar kryeministrinë dhe banesën e kryeministrit në Surrel.

Berisha duke pretenduar largimin e Ramës i tregoi protestuesve një pjesë të planit të tij qeverisës.

“Aktet e para, pas përmbysjes së këtij regjimi me votën e lirë, do të jetë dyfishimi i rrogave, përgjysmimi i sigurimeve shëndetësore, rikthimi i çmimit të energjisë 7 lek për familjet e 6 për biznesit. Zero tolerancë ndaj bandave të krimit të organizuar, asnjë tender apo koncesion nuk do të jepet pa garë. Do të dërgohen për ndjekje penale, Edi Rama dhe çdo firmëtarë”,- theksoi Berisha.

“Dita e hënë është ditë parlamenti. Revolucioni na fton, të gjithë para parlamentit.Populli i protestës, populli i fitores, të gjithë të bashkohemi të kalojmë nga beteja në betejë deri në fitoren tonë përfundimtare”.

Duke treguar se revolucioni paqësor nuk ndalet dhe se asgjë nuk mund ta pengojë opozitën në këtë rrugë Berisha iu bëri thirrje protestuesve të mblidhen sërish të hënën përpara parlamentit .

“Dita e hënë është ditë parlamenti. Revolucioni na fton, të gjithë para parlamentit.Populli i protestës, populli i fitores, të gjithë të bashkohemi të kalojmë nga beteja në betejë deri në fitoren tonë përfundimtare”.

Pas mbylljes së protestës u panë flakadanë dhe bomba molotov të hedhuara në shkallët e kryeministrisë. Ndërkohë që Berisha vijoi shëtitjen e tij politike në Bulevard drejt dyerve të bashkisë së Tiranës për të denoncuar kryetarin e bashkisë së Tiranës si “hajdut të fondeve publike” dhe më pas pranë selisë së PS.

 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë