Politike

Berisha: Kemi në dorë laptopin e patronazhistëve, aty zbulohet veprimtaria e tyre kriminale

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se opozita nuk do i pranojë kurrë këto zgjedhje si të drejta.

Komentet Berisha i bëri përmes një deklarate për mediat, ku tha se në Shqipëri dhe Diasporë duhet të krijohet sipas tij një front i përbashkët kundër këtij regjimi.

Berisha tha gjithashtu se PD nuk do i mbrojë votat me kallashnikov, por shtoi se opozita do të bëjë çdo përpjekje për ndërgjegjësimin e opinionit publik për atë që ai e quan ‘farsë zgjedhore’.

“Të mos kujtojë kush kurrë se një kriminel si Edi Rama, një kryehajdut i këtij kombi si Edi Rama, një kryebandit i këtij kombi si Edi Rama, do mund t’u imponojë këto rezultate njerëzve të lirë të Shqipërisë, atyre që i besojnë lirisë.

Dhe këto janë fillimi. Edhe njëherë u them shqiptarëve, durim se ne kemi dokumentet.

Ne kemi bërë gjithçka për të mbikëqyrur votën tuaj. Ne natyrisht me kallashnikov votë nuk mbrojmë. Por, tani lufta fillon”, tha ai.

Më tej Berisha nuk kurseu sulmet edhe ndaj relatorit dhe kreut të KAS, Ilir Rusmali, që sipas tij nuk pranoi të jepte procesverbaleve të komisioneve dhe qendrave të numërimit, teksa i bëri thirrje Ilirjan Celibashit që t’i jepte dokumentet e kërkuara për Kukësin dhe për të gjitha rastet e tjera ankimuese.

Berisha këmbënguli se PD ka prova për manipulim rezultati dhe ndërhyrje në zgjedhje nga patronazhistët e PS-së. Madje ai tha se kanë në dorë laptopin e patronazhistëve të PS, ku sipas tij, zbulohet veprimtaria kriminale në zgjedhjet e 11 majit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë