Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka reaguar ndaj një qëndrimi të fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku sipas së cilit, Sali Berisha mund të udhëtojë në SHBA.
Në një deklaratë zyrtare, PD e ka përshëndetur qëndrimin e DASH dhe shton se “Nuk ka qenë betejë për lirinë e Sali Berishës për të udhëtuar, por lufta e tij dhe demokratëve për të drejtën e shqiptarëve që opozitën të mos e emërojë pushteti”
PD falënderon DASH për një qasje të re dhe parimore, që sipas saj, u bë e mundur falë fitores së Donald Trump dhe deklaratave të zëvendëspresidentit republikan J.D. Vance, i cili në Konferencën e Mynihut kritikoi ndërhyrjet e administratës Biden në vendet e tjera përmes “armës së antikorrupsionit”.
“Nuk është liria për të udhëtuar e Sali Berishës që është penguar këto vite, por është liria e popullit shqiptar për të zgjedhur udhëheqësit e vet, dhe për të pasur një opozitë që nuk e emëron pushteti.”
Deklarata e PD vjen menjëherë pas një shkrimi të gazetarit amerikan Marc Caputo, i cili në rrjetin “X” publikoi një përgjigje nga Departamenti i Shtetit, pas një pyetjeje në lidhje me statusin e vizës së Berishës: “E pyeta DASH për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.