Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk e sheh si urim mesazhin e Ambasadës së SHBA për procesin zgjedhor të 11 majit.
Sipas leximit të tij, krahasuar me urimet e mëhershme, mesazhi kësaj here ishte ‘asgjësim i kryeministrit Rama.’
“Merrni e lexoni të gjitha deklaratat e mëparshme të asaj ambasade për zgjedhjet, për ta kuptuar shumë më mirë se cili ishte thelbi i deklaratës. Lexoni ato të vitit 2021, si kanë qenë.
Lexoni pak disa nga deklarata e sekretarit Rubio për zgjedhjet në vende të ndryshme të botës. Direkt të sekretarit, dhe do kuptoni mirë se ç’përfaqëson ajo që ju e quani urim për Edi Ramën, dmth jo zgjedhjet, uron shqiptarët, kaq. Aty urohen shqiptarët”, tha Berisha ndërsa shtoi se sipas tij, ai mesazhi as nuk pohonte dhe as nuk mohonte atë që ai e konsideron farsë elektorale.
Sipas tij, Rama po e priste si diçka hyjnore atë urim dhe shtroi pyetjen se përse ky i fundit nuk e përshëndeti urimin në fjalë.
Berisha përmendi se edhe në të kaluarën, urimet ndërkombëtare janë rrëzuar sipas tij përballë të vërtetave që ka paraqitur opozita.
Që prej ditës së djeshme, njoftimi i ambasadës amerikane për zgjedhjet e 11 majit ka ngjallur polemika të shumta.
Ndërsa mbështetësit e qeverisë e morën si një mesazh që tregonte certifikimin e zgjedhjeve, opozita e pa me skepticizëm mos-përmendjen me emër në urim të kryeministrit Rama, ndryshe nga 2021-shi.
Ata e konsiderojnë si distancim nga qeverisja faktin që në mesazh urohej vetëm populli shqiptar dhe jo kryeministri.
Për krahasim, në zgjedhjet e prillit të 2021-shit kur Rama fitoi mandatin e tretë, ambasada amerikane e uroi personalisht atë dhe Partinë Socialiste.
Kësaj here, ajo uroi vetëm shqiptarët dhe tha se pret vazhdimin e partneritetit me Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.