Politike

Berisha denoncon ‘trenin bullgar’ në Elbasan: Në lokalin e fshatit u gjetën fletë votimi dhe euro

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar një rast të mundshëm të manipulimit zgjedhor, të njohur si ‘treni bullgar’, në fshatin Pekisht të Elbasanit.

Sipas tij, pas një informacioni të marrë nga deputeti i sapozgjedhur i Elbasanit, Blendi Himçi, janë gjetur materiale zgjedhore dhe sasi të konsiderueshme narko-euro në barin e kryeplakut të fshatit, Dervish Beqiri, i cili është vëzhgues i besuar i Partisë Socialiste.

Berisha ka deklaruar se Himçi ka vizituar barin në mëngjes herët dhe ka gjetur fletë dhe lista votimi që “flinin” prej disa netësh, si dhe karta identiteti dhe sasi të konsiderueshme narko-euro.

Ky denoncim vjen në një kohë kur Partia Demokratike ka ngritur shqetësime të tjera për mundësinë e manipulimeve zgjedhore dhe përdorimin e parave të paligjshme në fushatat elektorale. Berisha ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar dhe përdorimin e parave të drogës për të ndikuar në zgjedhje.

“Sot në mëngjes herët, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush. Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit. Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293. Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh. Kjo është tavolina e krimit elektoral. Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Berisha përsëriti se zgjedhjet nuk mund të njihen në asnjë rrethanë, pasi sipas tij, rezultati i tyre është i paracaktuar dhe i prodhuar në mënyrë të paligjshme.

“Ka vetëm një zgjidhje, zgjidhja është emergjente, krijimi i një qeverie teknike, zhvillimi i zgjedhjeve të reja, shqiptarët votojnë të lirë. Ky është qëndrimi ynë.

Ne kemi me qindra dokumente të pafundme të shkatërrimit, të shndërrimit të procesit zgjedhor në farsë elektorale”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë