Vetëm gjysme ore para së të fillonte mbledhja e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e tij, Sali Berisha deklaroi nga selia blu se nuk do të shkojë. Berisha e cilësoi antiligjore rrugën e ndjekur nga SPAK, duke nënvizuar se Kuvendi do të shqyrtoje një kërkesë bazuar në anti-kushtetueshmëri.
“Me qëllim, për t’i dhënë një zgjidhje ligjore, që është e pamundur në këtë narkorepublikë, grupi parlamentar iu adresua Gjykatës Kushtetuese jo për Sali Berishën, por iu adresua Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e parlamentit.
Imuniteti i deputetit është mbrojtje për parlamentin dhe funksionimit të tij.
Grupi parlamentar iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’i treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë.
Në këto rrethana, Edi Rama dhe larot e tij, vrapuan drejt parlamentit për t’i kërkuar zëvendësimin e masave antikushtetuese që kanë dhënë ndaj meje me masa më të rënda, arrestin me burg ose arrest shtëpie.
Ky është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie.
Ndaj dhe unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim publik të tillë të institucionit, që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare.
Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga parlamenti në rrugë. Do vazhdojmë në parlament”, tha Berisha.
Ish-kryeministri pranoi se ata që do ta mbështesin sot përmes një protestë janë të paktë, duke e cilësuar një grup modest, duke bërë thirrje që në të ardhmen ata të jenë më shumë ashtu asikur nisi beteja e opozitës para 2005-ës.
“Çdo shqiptar duhet të ndalet në një moment, të shtrojë pyetjen: beson ai apo jo se vota e lirë është jetike, që qytetarët të gëzojnë liritë dhe të drejtat që shteti ligjor të funksionojë.
Çdo qytetar që i beson votës duhet të shtrojë pyetjen: a ka votë të lirë me Edi Ramën?
Çdo qytetar duhet t’i thërrasë vetes, në rast se nuk do të pajtohet me një diktaturë, të ngrihemi.
Sot do të jemi një grup fare modest, por do jemi luftëtarët e parë në rrugë, luftëtarë lirie.
Ju rikujtoj shqiptarëve se në vitin 1997, kur armiqtë e egër që erdhën me rebelim komunist në pushtet, menduan se na shfarosën, filluam betejën me 30 vetë në oborrin e selisë sonë dhe i mundëm ata në zgjedhjet parlamentare, të cilat i vodhën.
Po kësaj here, jetën e japim, votën nuk e japim.
Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar të mendojë për veten, për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e fëmijëve, për të ardhmen e këtij vendi.
Ne jemi në betejë pa kthim!”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.