Nga Gazeta ‘Si’– Seanca e sotme parlamentare, e cila u mbyll për më pak se pesëmbëdhjetë minuta, ashtu siç pritej, u shoqërua me tensione mes opozitës dhe mazhorancës.
Sali Berisha, u rikthye në Kuvend me akuza të ashpra ndaj socialistëve për atë që ai e quan manipulim dhe vjedhje të procesit zgjedhor.
Kreu i PD deklaroi nga foltorja se Edi Rama sipas tij angazhoi krimin e organizuar për të fituar në këto zgjedhje, teksa shtoi se 28 deputetë në Kuvendin e ri janë zgjedhur nga klanet e drogës.
“Kjo seancë mblidhet pasi partia e krimit me në krye Edi Ramën zhvilloi farsën zgjedhore më kriminale që ka njohur vendi. Kjo seancë mblidhet pasi në shkelje të të gjitha ligjeve, Edi Rama përdori 76 milionë dhuratë për 48% të votuesve. Pasi fali 200 milionë euro, gjoba dhe kamata për të marrë votat, pasi mobilizoi kartelet më të rrezikshme të drogës në Evropë. Deputetët e karteleve po iu zëvendësojnë në parlament. Vetëm Arkendi që mori 2000 vota në 2021, mori këtë vit 5000 vota më shumë se Rama. Klanet e vrasësve, drogës sjellin në këtë parlament 28 deputetë.
Iu mblidheni këtu pasi për të blerë votat me drogë, kreu i juaj firmosi mbjelljen e 28 mijë hektarëve me kanabis në mbarë vendin. Votën e parë të diasporës e manipuluat në mënyrën më të egër. 1.6 milionë shqiptarëve iu shkelmuat votën. Do të ishte më e ndershme që në parlament të ulej, Troplini, Hajri, Çela, Gjoka, Arben Qimja, Renato Salihi, Orik Shyti dhe të tjerë të cilët iu përdorin si lecka politike”, tha Berisha.

Gjithashtu Berisha, iu drejtua drejtpërdrejt deputetit Blendi Gonxhe, duke e quajtur atë një “bandit më të keq dhe më të rrezikshëm se Robert dhe Alfred Xhabafti”.
Berisha akuzoi Gonxhën për ndryshimin e mbiemrit dhe për lidhjet e tij me grupe kriminale, duke e përshkruar atë sipas tij si një figurë të ngjashme me ata që kanë përdorur pozita politike për të mbështetur interesa të kundërta me qytetarët.
Ndërkohë, kryeparlamentarja Elisa Spiropali e cila i mbylli mikrofonin iu drejtua duke i thënë se koha e tij ka përfunduar dhe ‘ka perënduar’, referuar këtu humbjes së PD më 11 maj.
“Ti s’mund të vish këtu pas humbjes tënde dëshpëruese dhe turpëruese dhe të tentosh të prishësh Kuvendin”, tha ajo.
Gazment Bardhi kishte depozituar në Kuvend një kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës të seancës së sotme plenare dhe për respektimin e nenin 45 të Rregullores së Kuvendit.

Bardhi kërkoi që të përfshiheshin 60 minuta diskutim jashtë rendit të ditës në seancë.
Por, Spiropali u shpreh se, deri në datën e sotme nuk është zhvilluar veprimtari parlamentare që të ketë diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Diskutimet jashtë rendit të ditës janë të parashikuara vetëm në seancat e zakonshme sipas nenit 45.

Propozimi për ndryshimin e rendit të ditës u rrëzua me shumicë votash ndërkohë që u miratua kalendari i punimeve për periudhën 29 maj-8 korrik 2025.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.