Ngjarje

Beograd, aktivistët serbë përkujtojnë viktimat e luftës së Kosovës

Aktivistë nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut dhe Gratë me të Zeza, marshuan të martën drejt parlamentit serb për të përkujtuar shqiptarët e Kosovës të cilët u vranë në luftë 20 vjet më parë.
Themeluesja e organizatës jo qeveritare, Gratë me të Zeza, Stasa Zajoviç, tha se “duam t’i bëjmë thirrje qytetarëve të Serbisë të mos heshtin për këto krime, të frymëzojnë dhembshuri, empati dhe solidaritet.
Marko Milosavljeviç nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut tha se narrativa dominuese në Serbi nuk përfshin viktima të pafajshme shqiptare, por përqendrohet vetëm tek ato serbe.
“Nuk flitet për varret masive. Ka pasur 20 vjet heshtje,” tha Milsavljeviç.
Rreth 20 aktivistë shpalosën një banderolë në rrugën qendrore Knez Mihailova të Beogradit me emrat e 744 viktimave shqiptare të cilët u zbuluan në lagjen Batajnica në Beograd në vitin 2001.

Ata në mënyrë simbolike e mbuluan banderolën me baltë, pastaj e pastruan atë dhe e çuan në ndërtesën e parlamentit serb pranë, së bashku me një banderolë tjetër ku shkruhej “Batajnica 744, e vërteta e varrosur”. Policia garantoi sigurinë gjatë të gjithë kësaj ngjarjeje.
Eshtrat e civilëve të vdekur shqiptarë janë gjetur në varre masive në katër lokacione në Serbi që nga viti 1999.
744 trupa u gjetën në një qendër stërvitore policie në periferi të Batajnicës në Beograd, 61 në kampin Petrovo Selo, 84 pranë liqenit Perucac dhe 52 në një gurore në Rudnica.
Ata ranë viktima të luftës së shkaktuar nga presidenti Sllobodan Millosheviç kundër shqiptarëve të Kosovës, e cila përfundoi pas 78 ditëve sulme ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë në vitin 1999.
Aktivistët u shprehën se vetëm shefi i Departamentit të Sigurisë Publike të Serbisë Vlastimir Djordjeviç u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e ish-Jugosllavisë për vrasjen dhe persekutimin e shqiptarëve të Kosovës, por shumë të tjerë ende janë të lirë dhe janë dekoruar për veprimet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë