Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në fuqi dënimin me 2 vjet e 8 muaj të El Salih Ibrahim (Lekica). Ai u shpall fajtor për akuzat “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
57-vjeçari nga Kukësi u arrestua në muajin maj 2022, pasi postonte në rrjete sociale shkrime dhe foto terroriste, bënte thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave terroriste kundër disa institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Prokuroria thekson se nëpërmjet postimit të përmbajtjes së shkrimeve nga ana e të pandehurit, manifestohen thirrje dhe propagandë për të përkrahur luftën e shenjtë “xhihadin”.
Në postimet e tij, sipas SPAK, i pandehuri është solidarizuar me personat e vrarë në këtë luftë, me legjitimimin e krijimit të të ashtuquajturit Shteti Islam i Irakut dhe udhëheqësit e tyre, duke u solidarizuar me fitoren e këtyre luftëtarëve.
Ai akuzohet më tej se ka mbështetur personat e burgosur të cilët kryejnë vepra penale dhe akte terroriste kundër disa shteteve perëndimore.
Bazuar në shkrimet e publikuara në rrjetet sociale, sipas SPAK, Ibrahim El Salih ka përkrahur mobilizimin e fëmijëve në akte të dhunshme, si dhe ka synuar nxitjen dhe ka bërë thirrje publike për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.