Komunitet

Bela e kukullave

Tek e takoj në atelienë e saj të vogël, por të mbushur me gjëra të bukura që femrat i tërheqin shumë, sytë më shkojnë tek spila që ka vendosur mes jakave të këmishës ngjyrë nude.

 

 

Spila është një kokë kukullle me flokë të drejta ngjyrë kafe dhe mollëza të kuqe.

 

Ajo e ruan që prej vitit 1993 edhe pse pas 23 vitesh, njihet si Bela e kukullave.

 

Bela Maçi është një stiliste modeste. Këtë e tregon i gjithë rrugëtimi i saj i deritanishëm. Ajo i do shumë gjërat që bën, nuk bën kompromis për të vrapuar pas përfitimit material nëse nuk do që ta bëj atë çfarë i ofrohet.

 

Bela ka studiuar në Paris për stilizim- modelim dhe është specializuar për krijimin e aksesorëve.

 

Çështje e fatit ose  jo, Belës ajo spilë që mbart herë pas here mbi kraharorin e saj i ka  shenjuar të ardhmen. 

 

Ishte viti 1993 kur Bela ishte 9 vjeç. Gjatë një udhëtimi në Spanjë tek daja, i cili zotëronte një shtëpi të moshuarish, aty ndodhi të takonte një zonjë që kishte ardhur në atë institucion për  të vizituar të ëmën. Zonja kishte në veshjen e saj një spilë me kokë kukulle.

“Mua më pëlqeu shumë. Mësova se zonja i krijonte vetë spilat. Kur po largohej i kërkova që herën tjetër të më sillte materialet e duhura që edhe unë me kushërirën time të bënim nga një të tillë. Zonja nuk harroi të ma plotësonte dëshirën dhe spila që unë e kam të vendosur sot mbi jakat e këmishës, është spila që kam krijuar në fëmijëri në Spanjë me materialet e asaj zonje” – tregon Bela duke shtuar se ajo ngjarje ka qenë një prej faktorëve që ka ndikuar për të ardhmen e saj.

 

“Kam lindur në një familje artistësh. Pasioni ka ardhur si një traditë e trashëguar prej tyre. Gjyshi im, Fatmir Haxhiu ka qenë piktor i periudhës realiste. Nuk e kam ndjekur plotësisht rrugën e tij, por më ka ndikuar. Një pjesë të mirë të kohës e kaloja në studion e tij. Halla ime ushtronte zanatin e rrobaqepëses. Si çdo gocë që qepte fustanet e kukullave, ashtu ndodhte edhe me mua ti lakmoja ato. Halla qepte porositë e veta dhe unë e shihja. Unë nuk pëlqej të qep. Unë nuk qep. Kam zgjedhur të bashkëpunoj me një rrobaqepëse dhe ka funksionuar deri  më sot. Vajza është modeliste dhe ka punësuar një grua që qep. Unë i çoj skicat dhe asistoj në çdo provë të klientëve të mi. I shoqëroj të zgjedhin copën dhe jam me ta deri sa marrin porosinë në dorë.”- tregon Bela.

 

Irma Libohova me veshjet e Bela Macit
Irma Libohova me veshje të stilizuar nga Bela

 

Ajo sot krijon spila me kukulla, të cilave  jo vetëm u jep formën, por iu ndërton edhe karakter e iu vendos emër.

 

Ajo tregon se ka ndërruar punë pa fund, nga të cilat ka përfituar shumë eksperiencë, si nga ana profesionale, ashtu edhe njerëzore duke krijuar kontakte që i nevojiten edhe sot.

 

Por për Belën kanë qenë punë që nuk ia nxisnin dhe zhvillonin kreativitetin deri sa arriti të gjente veten në folenë e saj duke stiluar veshje dhe aksesorë, kryesisht për klientët e saj të besuara.

 

“Jam njeri që mendoj shumë, shënoj çdo ide në bllok, por më mungon pjesa e iniciativës. Jam më shumë artiste se sa sipërmarrëse. Kur vendosa të bëj këtë që bëj sot prej 7 vitesh, kisha shokun tim, që tashmë është bashkëshorti im. Ai gjithmonë është marrë me biznes, është i vendosur, i prerë, jo kaq i ndjeshëm si puna ime. Ne artistët e kemi pak këtë pjesë. I kam të vështira ndryshimet. Por kur e vendos, nuk ka më kthim mbrapa. Punoja tek TV Klan. Isha asistente kostumografe. Punova dy vjet. Kam mësuar shumë por,  pjesën kreative nuk mund ta zhvilloje. Punoja me dyqane. Atje merrja rroba dhe ia përshtatja prezantuesëve. Por tregu është  shumë i vogël dhe diçka që ti ia kombinon një prezantueseje sot, ia sheh tjetrës nesër. Kam krijuar veshje baleti për një projekt, eksperiencë që më pëlqeu shumë.”- tregon Bela.

 

Ajo thotë se e kishte shumë të vështirë fillimin dhe nuk ia kishte fare idenë se si do i ecte puna. Në fillim nisi me veshje e aksesorët erdhën më vonë.

 

Ajo nuk merr porosi me fotografi dhe thotë se një produkt nuk e prodhon dy herë.

 

 “Në profesionin tonë është e lehtë të ndikohesh sepse çdo njëri prej nesh ka modele që ndjek. Unë jam e dashuruar me stilistët japonezë; Issey Miyake Johji Yamamoto. Më pëlqejnë disa koleksione të Chanel, por nuk jam shumë Chanel. Më pëlqen Dior, jo në kohën e  John Galiano, Jean Paul  Gaultier etj. Por kurrësesi nuk bëj diçka të ngjajshme me ta. Kam stilin tim minimalist me detaje të forta. Më pëlqen autenticiteti. Por problemi është se vë re që idetë vidhen pa teklif dhe nuk mbahet përgjegjësi, ndërkohë që ide ka plot.

Ajo gjykon se në Shqipëri është e pamundur të flasësh për një industri të mirëfilltë mode.

 

“ Që të ekzistojë një industri mode, minimalisht çdo stilist duhet të bëj çdo vit dy koleksione në vit; pranverë-verë, vjeshtë-dimër. Duhet të prodhojë materialet dhe copat për koleksionet e veta, jo ti blejë. Çdo gjë duhet të jetë e stilistit. Ja po e krijoj një koleksion të vogël me 40-50 veshje, por  nuk kanë mundësi njerëzit t’i blejnë. Nuk ka treg. Kush do ti blej?” – thotë Bela.

 

Ajo e  mendon shpesh një sfilatë nën brandin e saj Bella Belinda, por deri tani e ka pasur të pamundur. Sërish ka lidhje me kushtet financiare sepse nëse i përkushtohesh prodhimit të veshjeve për sfilatë, do të lësh mënjanë punën e përditshme, që përkthehet në mungesë të ardhurash.

Sabina Veizaj

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë