Politike

Begaj: Kosova, prioritet kombëtar. Osmani: Përballemi me sfidën e sigurisë, kemi nevojë për Shqipërinë. Serbia po fut armë ilegalisht, do të na zhdukë nga faqja e dheut!

Nga Gazeta ‘Si’ - Presidenti Bajram Begaj në një konferencë për shtyp me homologen Vjosa Osmani, tha se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë dhe vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet mes dy vendeve.

Begaj zbuloi një pjesë të bisedës që zhvilloi me Osmanin dhe vlerësoi partneritetin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Nënvizova se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë shumë të mira dhe se duhet të udhëhiqemi gjithmonë nga interesi kombëtar për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha nivelet, ekonomik, politik, social e kulturor, si dhe për të avancuar në proceset integruese euro-atlantike.

Shpreha kënaqësinë që Kosova është bërë një partner mjaft i i rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë, teksa përfaqëson sot tregun e dytë më të rëndësishëm për mallrat dhe shërbimet.

Përshëndeta hapat e ndërmarra sa i përket lehtësimit të qarkullimit ndërkombëtar. Turizmi mbetet një kontribuues i rëndësishëm po ashtu për ekonominë e dy shteteve. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i politikave dhe institucioneve tona duhet të jetë një objektiv i qëndrueshëm dhe parësor”, tha Begaj ndërsa u ndal edhe tek situata në veri të Kosovës ku theksoi se koordinimi me partnerët është i domosdoshëm.

“Vlerësova dhe hapat më të fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për de-eskalimin e situatës në Veri. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga SHBA, rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shqipëria mbështet plotësisht dhe angazhohet në mënyrë konstruktive në funksion të dialogut”, tha Begaj ndërsa shtoi se Shqipëria mbështet fuqishëm aspiratat e Kosovës për integrim Euroatlantik.

Ndërsa Osmani deklaroi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare për t’u bërë zëri i saj në institucionet ku nuk ka përfaqësim.

Ajo u shpreh se kombi shqiptar ka qenë dhe mbetet faktor stabiliteti në rajon, i vendosur për të mbrojtur vlerat euro atlantike që rrezikohen nga Rusia dhe Serbia.

"Bashkërendimi për një veprim të unifikuar të politikës së jashtme është fokusi i vizitës sime. Jemi të vendosur të mbrojmë së bashku vlerat që po atakohen nga Rusia dhe satelitet e saj në rajon. Serbia angazhohet në agresion institucional ndaj Kosovës ndaj kemi nevojë për mbështetjen e Shqipërisë dhe aleatëve. Dialogu me  Serbinë vazhdon por rezultati përfundimtar është vetëm njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo akuzoi sërish Serbinë dhe tha se është një fqinj agresiv që vazhdon me logjikën për të zhdukur nga faqja e dheut Kosovën.

“Kosova po përballet me sfidimin më të madh të sigurisë, e them se kur kemi përballje me sfida të tilla, agresion të përditshëm nga ana e një fqinji agresiv që vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut, është detyrim që interesat kombëtare të jenë para së gjithash”, tha Osmani.

"Nuk ka javë që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës, duke zbatuar planin që Putin ka zbatuar në 2014 kundër Ukrainës, të dy synojnë destabilizimin e rajonit dhe me anë të kësaj të atakojë vlerat që qëndron NATO dhe BE është më shumë se një zhvillim në rajon. Serbia vazhdimisht fut armatim në Kosovë ilegalisht, trajnon pjesë të strukturave kriminale në ushtrinë serbe që ato të shkaktojnë problem në veri, intimidon e i sulmon qytetarët serb në veri, pra kjo është një sfidë për të gjithë rajonin, që të gjitha shtet duhet ta trajtojnë së bashku. Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiç në Ballkanin Perëndimor”, shtoi presidentja.  

E parë në këtë prizëm, ajo tha se nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria dhe Kosova kanë një qëllim të përbashkët. Ajo që mund t’i ndryshojë është strategjia.

“Nuk kam asnjë dyshim që qëllimin e kemi të përbashkët, nëse ndonjëherë kemi ndryshim në strategji, duhet të ulemi si një familje, sepse ne jemi si një familje. Edhe ndonjë moment i vogël kalohet, pa ndonjë problem të madh”, tha Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë