Bota

BE thirrje Izraelit të pranojë marrëveshjen e armëpushimit me Hezbollahun

Nga Gazeta 'Si'- Shefi i diplomacisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “nuk ka asnjë justifikim” për Izraelin që të refuzojë zbatimin e një armëpushimi me Hezbollahun, grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Borrell tha se të gjitha shqetësimet e sigurisë të Izraelit janë adresuar në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Zyrtari i lartë evropian bëri thirrje për rritjen e presionit ndaj Izraelit për të mposhtur linjën ekstremiste brenda Qeverisë izraelite të cilët po refuzojnë që ta pranojnë marrëveshjen.

Duke folur në margjinat e takimit të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) në Itali, Borrell paralajmëroi se nëse marrëveshja për armëpushim nuk zbatohet “Libani do të shpërbëhet”.

Zyrtarët izraelitë thanë se kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, do të mblidhet më 26 nëntor për të diskutuar për armëpushimin e propozuar. Në mesin e çështjeve që mbesin të pazgjidhura është një kërkesë e Izraelit për të rezervuar të drejtën për të vepruar nëse Hezbollahu shkel obligimet nga marrëveshja e re.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Borrell tha se SHBA-ja do ta udhëhiqte komitetin për zbatimin e armëpushimit, por Franca do të merrte pjesë në të me kërkesën e Libanit.

“Në marrëveshjen e propozuar, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Franca, Izraeli i ka të adresuara të gjitha shqetësimet e sigurisë. Nuk ka asnjë justifikim për moszbatimin e një armëpushimi”, tha Borrell për gazetarët.

Hezbollahu nisi sulmet në kufi kundër Izraelit më 8 tetor 2023, një ditë pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmoi jugun e Izraelit, që nxiti luftën në Gazë.

Luftimet mes Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan shtatorin e këtij viti, me Izraelin që nisi sulme masive ajrore në Liban dhe më pas nisi një ofensivë tokësore në jug të Libanit.

Hezbollahu ka gjuajtur mijëra raketa në qytetet izraelite, përfshirë rreth 250 që i lëshoi më 24 nëntor. REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë