Analize

BE-SHBA dështuan me liderët e Ballkanit

Jasmin Mujanoviç - Tre zhvillime të papritura që kanë tronditur Ballkanin Perëndimor gjatë tri javëve të fundit janë kthyer në shtyllat e fundit që mbështesin një tezë të hedhur prej kohësh nga ekspertët dhe analistët dy vjet më parë: projekti euroatlantik në Ballkan ka prekur fundin e tij.

Nikolla Gruevski, ish-kryeministri i Maqedonisë i dënuar kohët e fundit për korrupsion, është larguar nga vendi dhe ka kërkuar azil në Hungari; Kosova ka vendosur tarifa të ashpra ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina; dhe Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjes, ka deklaruar se do të përdorë pasaportën serbe dhe jo boshnjake gjatë udhëtimeve të tij zyrtare.

Fija që bashkon të treja këto zhvillime është se rendi i bazuar në rregullat e BE-së për Ballkanin Perëndimor ka rënë. Të vetëdijshëm për fuqinë dhe ndikimin e tyre, elitat rajonale janë gjithnjë e më të furishme në konfrontimet e tyre me BE-në dhe SHBA-në. 

Ata janë të bindur se kjo është një strategji efektive për t'u hakmarrë ose për të bërë të reagojnë institucionet diplomatike në Bruksel dhe Uashington, të cilët janë të etur për të ruajtur iluzionin e stabilitetit rajonal.

Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës

Më e rëndësishmja, elitat lokale e dinë shumë mirë se kjo strategji edhe më e efektive për t'u bërë përshtypje aktorëve të rinj post-perëndimorë në Ballkan; Rusisë, Kinës, Turqisë dhe monarkive të Gjirit.

Liderët si Gruevski dhe Dodik plaçkitin, fyejnë dhe shkelin siç e shohin të arsyeshme, dhe ia hedhin pa u lagur dhe pa u dënuar për veprimet e tyre nga institucionet lokale ose ndërkombëtare.

Kosova ka humbur besimin në kapacitetin e BE-së për të integruar vendin në bashkësinë e shteteve europiane. Si rezultat i kësaj, Prishtina po zbaton të gjitha llojet e politikave që sipas saj do të vënë Serbinë në vështirësi. Ndërkohë që propozimi i fundit për një marrëveshje me Serbinë do të ishte një kthesë katastrofike për të gjithë rajonin, Prishtina është kthyer në viktimën kryesore të dështimit të Perëndimit në Ballkan.

Gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dënoi ashpër edhe qëndrimin e BE-së, duke thënë se e ka lënë Kosovën një shtet të gjymtuar, ndërkohë që Serbia po hap një nga një kapitujt e anëtarësimit. “BE duhet të gjejë një qasje pa dy fytyra me Kosovën dhe Shqipërinë, njërës i thotë do të hapim negociatat tjetrës i thotë do të liberalizojmë vizat, ndërkohë që ne kemi një fytyrë atë kuqe e zi”, u shpreh ai.

Nikolla Gruevksi, ish-kryeministër i Maqedonisë

Rama i bëri thirrje Serbisë të zbresë me këmbë në tokë dhe Bashkimit Europian mos të tregonte përralla. “Taksat ndaj mallrave serb nuk është një vendim ekonomik por politik, një ftesë që Serbia të zbresë me këmbë në tokë dhe të kuptojë se dialogu nuk mund të bëhet me thika pas shpinës ndaj shqiptarëve. Rasti i fundit ishte Interpoli, kur Serbia bllokoi edhe njëherë anëtarësimin e Kosovës”, deklaroi ai. “Na e bënë kokën dhallë, kaloni demarkacionin, kaloni demarkacionin, ndërkohë që Serbia pa njohur Kosovën po hap kapitujt e anëtarësimit. Ne jemi të vegjël, krahasuar me vendet e tjera, por jemi gjallë nuk kemi vdekur akoma.”   

Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së përbashkët të qeverive Shqipëri-Kosovë

Sikur të mos mjaftonin tensionet Serbi-Kosovë, as situata në Bosnjë nuk është më e mirë. Provokimi i Dodik ishte i fundit në vazhdën e një sërë aktesh që synojnë shkëputjen e Republikës Srpska nga Bosnja. Analistët thonë se Dodik duhet të ishte dënuar për tradhti. Por, për shkak se qeveris në një vend si Bosnja, ai vazhdon të përdorë fondet e taksapaguesve boshnjakë për të minuar shtetin boshnjak, ndërsa BE dhe SHBA vendosin të bëjnë një sy qorr.

Të gjitha këto zhvillime kanë zbuluar një fytyrë tjetër të Ballkanit, duke nxjerrë në pah se në fakt angazhimi i Europës në Ballkanin Perëndimor nuk ka qenë kurrë i mjaftueshëm.     

Natyrisht, ngjarjet në rajon janë po ashtu pjesë e një krize më të gjerë ndërkombëtare që është bërë veçanërisht e dukshme që nga aneksimi i Krimesë, Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe zgjedhjes së Donald Trump në SHBA .

Megjithatë, vendet e Ballkanit janë jo vetëm viktima të këtij riorganizimi politik global, por edhe të elitave të korruptuara politike, që veprojnë si agjentë të fuqive më të mëdha dhe manipulojnë ngjarjet ndërkombëtare në dobi të tyre.

Si gjithmonë, viktimat janë qytetarët e zakonshëm të rajonit. Diplomatët europianë dhe amerikanë mund të vazhdojnë të flasin me kompetenca nga karriget e tyre, por janë të vetëdijshëm se përgjatë viteve të fundit asnjë ndihmë kuptimplote nuk është në horizont.

BE-ja dhe SHBA-ja nuk mund të qëndrojnë gjithnjë larg trazirave të Ballkanit. Shfaqja e Gruevskit në Hungari, një shtet anëtar i BE-së, implikon drejtpërdrejtë Brukselin si përgjegjës ndaj sulmit kundër sundimin e ligjit në Maqedoni dhe rajon. E vetmja mënyrë që BE-ja të riafirmojë autoritetin dhe praninë e saj në rajon është nëse siguron menjëherë kthimin e Gruevskit në Shkup.

Nga ana tjetër, tarifat e vendosura nga Kosovëa duhet të shihen më shumë si një akt dëshpërimi. BE-ja nuk e ka ndaluar Serbisë të sabotojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe refuzimi në Interpol ishte “shuplaka” e fundit e Perëndimit.   

Duke vepruar në këtë lloj mënyre, BE-ja ka udhëhequr në mënyrë efektive radikalizimin e klasës politike të të gjithë rajonit, të cilët kanë arritur në përfundimin se sjellja e mirë fiton vetëm lëvdata retorike, jo ndihmë aktuale nga europianët.

BE-ja duhet të vendosë nëse duhet të veprojë me “dorë të hekurt” dhe të vendosë drejtësinë në vend, edhe nëse do të shkaktonte zemërimin e aktorëve të caktuar në Ballkan, ose të vazhdojë të bëjë një sy qorr ndaj të gjitha shkeljeve në terren dhe ta zhysë kështu edhe më besueshmërinë e saj në mesin e qytetarëve të rajonit. / BalkanInsight

*Jasmin Mujanoviç, analist i njohur i politikave të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë