Ngjarje

BE heq kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë, të paktën 10 vende do të njohin edhe vaksinat kineze dhe ruse

Pas më shumë se një viti, Bashkimi Europian ka vendosur të hapë sot kufijtë për udhëtimet jo-thelbësore nga Shqipëria, duke u hapur kështu dyert turistëve për herë të parë që nga fillimi i pandemisë. Që nga marsi i vitit të kaluar, asnjë qytetar shqiptar nuk ka mundur të udhëtojë drejt vendeve europiane nëse nuk vërtetonte se po lëvizte për arsye shëndetësore ose pune.

Qytetarët e vendit tonë nuk kanë mundur të lëvizin as në vendet fqinje si Italia dhe Greqia. Megjithatë, për shkak të rënies drastike të rasteve me Covid-19 në vendin tonë ambasadorët nga 27 vendet e BE miratuan shtimin e Shqipërisë, si dhe Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në listën e vendeve të sigurta. Pas vendosjes së datës nga kur do të hyjë në fuqi vendimi, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt vendeve të BE duke paraqitur një test negativ për Covid-19 të bërë 72 orë nga nisja. Ose mund të paraqesin dokumentin që vërteton se ata janë të vaksinuar. Të paktën 10 vende të unionit pritet që të njohin së shpejti edhe vaksinën kineze dhe atë ruse.

Duke komentuar vendimin, kryeministri Edi Rama shkruan në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Rama shkruan se ky është lajmi që vendi ynë po priste prej kohësh.

“Bashkimi Europian ka hequr kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore jashtë BE, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Ia dolëm edhe kësaj sfide, sepse ne, Shqipëria, nuk ndalemi më në ngjitjen tonë drejt majës ku e meritojnë fëmijët tanë”, shkruan kryeministri.

Vendimi i BE përfshin po ashtu Shtetet e Bashkuara, Tajvanin, Hong-Kongun dhe Makau dhe do të hyjë në fuqi në ditët në vijim. Kjo të thotë në thelb se qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin drejt unionit më lirisht se më parë, por nuk përjashton kufizimet e pjesshme.

Pjesa më e madhe e kufizimeve do të jenë në dorë në vendeve anëtare të BE-së, të cilat pavarësisht se Shqipëria është një vend i sigurt, ende mund të zgjedhin të kërkojnë një test negativ Covid-19 ose një periudhë karantine.

Çështja e shëndetit është në kompetencën kombëtare të secilit shtet anëtar të BE-së, prandaj, edhe në rast se disa vende deklarohen të sigurta, secili vend i BE-së ka të drejtë të vendosë masa për të luftuar koronavirusin.

Por si janë rregullat e udhëtimit  në vendet anëtare?

Greqia

Lajmi më i shumëpritur për turistët shqiptarë ka ardhur nga Greqia, e cila ka vendosur të njohë të gjitha vaksinat, edhe nëse nuk janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave. Kjo do të thotë se këtë verë shqiptarët e vaksinuar me vaksinën kineze Sinovac apo të ruse Sputnik V do të mund të udhëtojnë lirshëm drejt vendi fqinj, sapo të hyjë në fuqi vendimi i BE-së.

Më konkretisht, duke folur gjatë një konferencë të rregullt për reporterët, kryetarja e komitetit shëndetësor Vana Papaevangelou tha se vendimi u mor pas një rekomandimi nga qeveria. Vaksinat që do të pranohen janë Novavax, Sinovac Biotech, Sputnik V, Sinopharm dhe CanSino Biologics. Papaevangelou theksoi gjithashtu se turistët do të jenë në gjendje të hyjnë nga kufiri tokësor pa masa shtesë, përvec matjes së temperaturës.

Gjermania

Po ashtu, Gjermania pritet që të heqë kufizimet e vendosura në për turistët që vijnë nga vendet e sigurta duke nisur nga 1 korriku. Lajmin e bëri të ditur qeveria të premten. Kufizimet si tamponi apo karantina do duhet që t’i zbatojnë vetëm vendet që kanë një incidencë të rasteve mbi 200.

Njoftimi i bërë nga ministri i jashtëm Heiko Maas vjen pas lajmit se Gjermania hoqi dy javë më pare Shqipërinë nga lista e kuqe.

Italia

Italia nga ana tjetër ka çelur dyert për turistët ndërkombëtarë që prej fillimit të qershorit, të cilëve iu duhet të paraqesin test negativ për COVID-19 me të mbërritur në vend. Por ky rregull nuk vjen për të vaksinuarit dhe ata që e kanë kaluar Covid-19. Megjithatë, deri më tani vendi fqinj nuk ka marrë ende një vendim nëse do t’i njohë apo jo vaksinat kineze apo ruse.

Të gjitha provincat e Italisë pritet të kategorizohen se vende me “rrezik të ulët” para fundit të qershorit, çka do të thotë se udhëtimet nga njëra zonë të tjetrën do të lejohen. Kafenetë, baret, restorantet, hotelet dhe teatrot janë hapur pjesërisht. Maskat mbeten të detyrueshme në ambiente publike, si brenda ashtu edhe jashtë. Ora policore nis në mesnatë, por edhe kjo masë pritet të hiqet më 21 qershor.

Franca

Nëse jeni të vaksinuar me një prej vaksinave të miratuara nga BE, udhëtimi drejt Francës është i mundur për të gjithë turistët ndërkombëtare nga vendet e sigurta.

Megjithatë, pavarësisht vërtetimit të vaksinës, qytetarët duhet të paraqesin test negativ për COVID-19 të 72-orëve të fundit. Në Francë, ora policore nis në 23 të darkës, ndërsa kafet dhe restorantet janë të hapura por me kapacitet më të ulët.

Spanja

Spanja mirëpret të gjithë ata që janë të vaksinuar, pavarësisht llojit të vaksinës. Ajo hapi dyert për turistët nga vendet e treta si Shqipëria një javë më parë. Megjithatë, ata që nuk janë vaksinuar duhet të paraqesin test negativ.

Autoritetet spanjolle kanë prezantuar një plan masash në bazë të  rajoneve, ku në zonat me rrezik të ulët, baret dhe restorantet mund të punojnë deri në gjysmën e kapaciteteve e të qëndrojnë hapur deri në orën 3 pas mesnate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë