Analize

BE përjashton Thaçin nga dialogu me Serbinë

Bashkimi Europian synon të vazhdojë përpjekjet për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, por në këto plane, nuk përfshihet më Presidenti Hashim Thaçi, i cili i ka udhëhequr deri tani negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me radhë.

Pas aktakuzës për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës si partner në procesin e dialogut, duke e lënë kështu jashtë tryezës së bisedimeve.

"Në reagimet tona deri më tani, ne kemi thënë midis rreshtave, se do të ishte më mirë që Thaçi të përqëndrohet në aktakuzën e tij dhe se derisa të zgjidhet çështja, pra të ketë një aktgjykim", ka thënë për Radion Evropa e Lirë një zyrtar evropian që merret me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

BE thotë se Prishtina zyrtare do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për dialog, pavarësisht se kush e zhvillon atë në emër të Kosovës.

"Nuk i takon BE-së të zgjedhë bashkëbiseduesit, por i takon palës kosovare të vendosë kush do të përfaqësojë më së miri interesat e tyre", thotë Virginie Battu-Henriksson, zëdhënëse e BE.

BE-ja synon që së shpejti të organizojë një Samit në Paris, për të bërë bashkë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë. Këshilltarët e mikpritësve të këtij samiti, presidenti i Francës, Emanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel e kanë bërë po ashtu të qartë se nuk duan përzierjen e Thaçit në dialog.

Sipas zyrtarëve nga Berlini, rrethanat aktuale politike në Prishtinë nuk do të ndryshojnë agjendën e samitit, por ato sigurisht që do të ndikojnë në ndryshimet në listën e mysafirëve, që do të thotë se presidenti i Kosovës nuk do të ftohet në Paris.

Një zyrtar gjerman u tha gazetarëve se shpresonte që BE-ja të arrijë një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, por se Thaçi nuk do të ishte pjesë e tryezës.

Njohësit e zhvillimeve politike thonë që aktakuzat ndaj Thaçit pritet të rrëzohet ose konfirmohet pas 4 muajve. Opinionisti Naim Rashiti thotë se këtë periudhë i mbetet skenës tjetër politike të vendosë apo edhe të koordinohet me presidentin në lidhje me dialogun.

"Por, takimet në Shtëpinë e Bardhë apo takimi i Parisit, i paralajmëruar për javën e dytë të korrikut, do të ndodhin pa Presidentin. Aty do të shkohet me një përfaqësim sa më të lartë të nivelit politik, në emër të shtetit dhe do të diskutohet për procesin e dialogut, pa marrë parasysh zhvillimet e brendshme në Kosovë apo qëndrimin e deritanishëm të zotit Thaci”, theksoi Rashiti.

Eksperti pret që Bashkimi Evropian ta përjashtojë Presidentin nga komunikimi dhe të kontaktojë vetëm me Kuvendin dhe me Qeverinë e Kosovës.

“Thaçi ka qenë shumë thellë i përfshirë me administratën amerikane për marrëveshjen me Serbinë. Unë besoj që ky proces do të ndalojë. Derisa Thaçi të jetë në krye të Presidencës, ai pritet, me shumë gjasë, që të izolohet nga një pjesë e botës, për shkak të aktakuzës”, thotë ai.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë