Interviste

BE: Një ministër i Brendshëm funksional për të luftuar krimin!

“Një ministër i Brendshëm plotësisht funksional, që do të vazhdojë të luftojë krimin e organizuar është thelbësor, për t’u siguruar që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt BE-së”. Ky ishte një nga mesazhet kyçe të Luigi Soreca, Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, gjatë një interviste me mediat europiane .

I pyetur nga “European Western Balkans” nëse vendi ynë është gati për hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor të vitit të ardhshëm, Soreca shprehet se Shqipëria ka ende rrugë të gjatë përpara dhe duhet të punojë me reformat e përcaktuara nga BE-ja. “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është vendimtare dhe nuk ka kohë për të humbur. Reforma e drejtësisë duhet të vazhdojë, pasi është një proces kyç për vendin”, thotë italiani.

Si përgjegjës i planit të veprimit të BE-së për luftën kundër trafikimit të drogës, Soreca këmbëngul se lufta drogës dhe krimit të organizuar është një nga përparësitë e Shqipërisë. Sipas tij vendi ynë duhet të arrijë përparime të dukshme në këtë drejtim përpara qershorit të ardhshëm, kur Bashkimi Europian do të vendosë për hapjen e negociatave.

Luigi Soreca dhe ish-ministri i Brendshem Fatmir Xhafa 

Deklaratat e Ambasadorit të Bashkimit Europian erdhën gjatë një formoni në Tiranë, i organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe i mbështetur nga Fondacioni Hanns Seidel në Shqipëri. Së bashku me ekspertë, studiues dhe politikanë, mes të cilëve ishte edhe Presidenti Ilir Meta, Soreca foli për zgjerimin e BE-së, bashkëpunimin rajonal, procesin e Berlinit dhe rrugën e Shqipërisë drejt unionit europian. Shefi i Delegacionit Europian në Shqipëri, vuri në dukje rëndësinë e Samitit të Sofjes dhe atij të Londër, duke thënë se rreth 80 mijë vende të reja pune mund të krijoheshin në rajon nëse ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vendosin të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Sa mendoni se ka kontribuar Procesi i Berlinit në zhvillimin e infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor?

Siç kam thënë, Procesi i Berlinit ka qenë vendimtar në zhvillimin e transportit, energjisë, tregtisë, por më e rëndësishme, në lidhje e qyetarëve të Ballkanit më njëri-tjetrin. veçanërisht të rinjve. Dhe një nga arritjet më të rëndësishme të Procesit të Berlinit është krijimi i Zyrës Rajonale të Rinisë këtu në Tiranë, për të cilën unë mendoj se përfaqëson zemrën e projektit.

Pritet që Shqipëria të fillojë procesin e negociatave të anëtarësimit në BE vitin e ardhshëm. A e konsideroni Shqipërinë plotësisht të gatshme për këtë hap?

Shqipëria ka bërë përparime shumë të rëndësishme përgjatë viteve dhe muajve të fundit, por ka ende shumë për të bërë. Veçanërisht në fushat që janë identifikuar nga Këshilli Europian qershorin e kaluar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është vendimtare dhe nuk ka kohë për të humbur. Reforma e drejtësisë duhet të vazhdojë, është një proces kyç dhe të gjithë duhet të punojmë në të njëjtin drejtim.

Luigi Soreca dhe Presidenti Ilir Meta 

A mendoni se Këshilli Europian duhet të kishte hapur negociatat me Shqipërinë në qershor të këtij viti për ta motivuar për reforma të mëtejshme, në vend që ta shtynte këtë proces në qershor të vitit 2019?

E pra, pozicioni i Komisioni Europian ishte të rekomandonte hapjen e negociatave këtë qershor. Por Bashkimi Europian përbëhet nga disa institucione, dhe Këshilli, në kuadër të së drejtës së tij, nuk ka arritur në një konsensus për Shqipërinë. Ne respektojmë shumë qëndrimin e shteteve anëtare që nuk ishin dakord. Ne po punojmë me to dhe më e rëndësishmja, po punojmë me Shqipërinë për të qenë të sigurtë se shqetësimet e shprehura qershorin e kaluar do të adresohen dhe zgjidhen në mënyrë që të kemi një përgjigje pozitive, vitin e ardhshëm.

Nëse i hedh një sy Raportit të vitit 2018 të Komisionit Europian për Shqipërinë, krijon përshtypjen se Tirana zyrtare është në rrugën e duhur kur bëhet fjalë për reformat gjyqësore. Megjithatë, ka kritikë që thonë se reformat paralizuan punën e gjyqësorit dhe ulën efikasitetin dhe pavarësinë e të gjithë sistemit të drejtësisë. A pajtoheni më këtë mendim?

Reforma e drejtësisë është një reformë shumë komplekse. Ajo ka ndryshuar një të tretën e kushtetutës së Shqipërisë. Pra, është komplekse dhe prandaj ne duhet të kemi durim në mënyrë që të lejojmë autoritetet e pavarura që të verifikojnë magjistratët. Natyrisht, kjo duhet të bëhet në ritmin që i lejon Shqipërisë të arrijë përparime të rëndësishme deri në qershorin e ardhshëm. Mendoj se tani autoritet shqiptare duhet të fokusohen tek reforma e drejtësisë dhe të krijojnë të gjitha institucionet e parashikuara nga Kushtetuta. Në jemi plotësisht të përkushtuar për të ndihmuar dhe mbështetur institucionet e Shqipërisë.

Luigi Soreca

Një nga pesë prioritetet kryesore të raportit të lartpërmendur është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pak ditë më parë, pati arrestime, dhe mes tyre edhe ish-deputetë. Cilat janë sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Shqipëria në këtë fushë?

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një përparësi kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. Përgjatë javëve dhe muajve të fundit, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë dhe Policia e Shtetit kanë ndërmarrë një sërë veprimesh të rëndësishme kundër krimit të organizuar. Ne e mirëpresim këto masa, kjo është ajo që BE-ja dhe vendet anëtare presin nga Shqipëria. Prandaj, një ministër i Brendshëm plotësisht funksional që do të vazhdojë të luftojë krimin e organizuar është thelbësor për t’u siguruar që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt BE-së


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë