Ngjarje

BE, ndihmë shtesë për Shqipërinë, inxhinierë për të vlerësuar sigurinë e godinave

Bashkimi Europian do të ofrojë ndihmë shtesë për të përballuar pasojat e tërmetit shkatërrimtar të së martës. Brukseli aktivizoi menjëherë pas tërmetit Mekanizmin e Mbrojtjes Civile pas kërkesës së autoriteteve shqiptare për ndihmë dhe në kuadër të këtij mekanizmi tre ekipe nga Greqia, Italia dhe Rumania ndihmuan në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Ditën e enjte, Qeveria shqiptare ka aktivizuar sërish këtë mekanizëm duke kërkuar ndihmë me ekspertizë në inxhinierë për të vlerësuar ndërtresat e dëmtuara. Thirrjes i janë përgjigjur pozitivisht deri më tani Italia dhe Greqia.

Ndërkohë, në Tiranë është stacionuar ekipi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, që sipas një njoftimi të BE-së po punon ngushtë me autoritetet shqiptare për kanalizimin e ndihmës tek më nevojtarët në këto momente, si dhe për menaxhimin e ndihmave materiale dhe financiare.

Po të enjten, delegacioni i BE-së në Tiranë organizoi një tryezë me përfaqësuesit e vendeve anëtare të unionit në Tiranë, si dhe me përfaqësues të tjerë të vendeve joanëtare, por që marrin pjesë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, siç është edhe Shqipëria. Pjesëmarrës kanë qenë edhe partnerë ndërkombëtarë nga agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e deri tek USAID-i amerikan.

“Bashkimi Europian mbështet Shqipërinë në këto kohë të vështira dhe sfiduese. Ne do të sigurojmë ndihmën tonë për aq kohë sa ajo nevojitet”, deklaroi Komisioneri për Ndihmën Financiare dhe Menaxhimin e Krizave, Christos Stylianides.

“Sot, BE dhe vendet anëtare të tij janë në krah të Shqipërisë dhe po punojnë pa pushim për të siguruar ndihmën e nevojshme në këto momente të vështira. Ekspertët e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian dhe dhjetë vende anëtare janë aktualisht të pranishme me skuadrat e tyre në terrent për të ndihmuar autoritetet qendrore dhe vendore shqiptare”, citohet ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.

Kreu i ekipit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, Peter Glerum sqaron se puna e skuadrës që drejton është ndihma në koordinimin dhe mbështetja në dhënien e përgjigjes dhe reagimit të duhur nga ana e autoriteteve. “Objektivi ynë është të ndihmojmë shqiptarët e prekur nga ky tërmet”, deklaroi ai.

Pjesë e ndihmës është edhe ajo logjistike dhe informuese që ofrohet nga “Copernicus”, sistemi i satelitëve të Agjencisë Hapësinore Europian që ka prodhuar vazhdimisht imazhe nga orbita të zonave të prekura në terren që kanë nevojë të menjëhershme për ndihmë. BE thotë gjithashtu se qendra e saj për Koordinim të Emergjencave është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe vazhdon të monitorojë me kujdes situatën.

Ndërkohë, veç ekspertëve dhe inxhinierëve që do të mbërrijnë nga vendet e BE-së në Shqipëri pritet që të vendosen edhe një grup inxhinierësh dhe ekspertësh nga Kosova, për të ndihmuar kolegët e Shqipërisë në përmbylljen sa më shpejt të procesit të verifikimit të godinave problematike, e që duhen shembur, si dhe për t’u dhënë përgjigje mijëra qytetarëve që janë strehuar nëpër çadra nëse banesa e tyre është e sigurtë, apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë