Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të diskutojnë me urgjencë këtë të enjte vendosjen e një pakete masive dhe të ashpër sanksionesh ndaj Rusisë si kundërpërgjigje për pushtimin ushtarak të nisur në Ukrainë.
“Me këtë paketë, ne do të synojmë sektorët strategjikë të ekonomisë ruse duke bllokuar aksesin e tyre në teknologjitë dhe tregjet kryesore. Ne do të dobësojmë themelet ekonomike të Rusisë dhe kapacitetin e saj për t’u modernizuar”, deklaroi Presidentja e KE, Ursula von der Leyen.
“Do të ngrijmë asetet ruse në BE dhe do të ndalojmë hyrjen e bankave ruse në tregun financiar europian. Ashtu si me paketën e parë të sanksioneve, ne jemi të lidhur ngushtë me partnerët dhe aleatët. Këto sanksione janë krijuar për të shkaktuar një dëm të rëndë, me ndikim në interesat e Kremlinit dhe në aftësinë e tij për të financuar luftën”, vijoi ajo.
Britania e Madhe po ashtu pritet që të vendosë duke filluar nga sot ashpërsimin e sanksioneve, që në ditët në vazhdim do të ashpërsohen gradualisht.
“Këto janë sanksionet më të ashpra, më të mëdha dhe më të rënda që Rusia ka parë ndonjëherë”, njoftoi Qeveria britanike.
Londra njoftoi gjithashtu se do të ofronte “ndihmë të drejtpërdrejtë” për Ukrainën në mbrojtjen e vendit të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.