Mendim

BE-ja me të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi?

Bisedimet maratonë në Bruksel gjatë muajit korrik për zgjedhjen e udhëheqësve të rinj të institucioneve të BE-së duket se do të reflektohen edhe në Ballkanin Perëndimor, ku fokusi kryesor duket se është dialogu Kosovë-Serbi.

Pas dështimit të Federica Mohgerinit për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë mandatit të saj si Përfaqësuese e Lartë e BE-së, shumë zyrtarë në Bruksel kanë kërkuar emërimin e një të dërguari të posaçëm vetëm për dialogun Kosovë-Serbi.

Mediat franceze dhe ato të Brukselit raportojnë se presidenti Emmanuel Macron synon të emërojë një të dërguar special për bisedimet mes dy vendeve. Si Franca ashtu edhe Gjermania janë ankuar se roli i Përfaqësuesit të Lartë është shpesh herë i fokuar në çështje të tjera globale dhe nuk ka as fokusin – dhe as stafin e kërkuar për t'u marrë me dialogun Kosovë-Serbi. Në këto kushte, duket se zyrtarët europianë e shohin të nevojshëm emërimin e një të dërguari të veçantë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili do të ketë një rol të ngjashëm më atë të Matthew Nimetz, të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e konfliktit mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Nga ana tjetër, emërimi i Ministrit të Jashtëm të Spanjës Josep Borrell si Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian gjeneroi një debat të madh dhe është parë me skepticizëm dhe shqetësim në Kosovë. Arsyet kanë të bëjnë me implikimet e mbajtjes së postit të Përfaqësuesit të Lartë nga një prej shteteve anëtare të BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Borell ka mbështetur publikisht dialogun dhe arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë dhe nga njëra anë duket se është pikërisht ai që i duhet procesit, pasi mund të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje me pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Josep Borrell

Por duke qenë se ai vjen nga Spanja, e cila ka qenë më e kritikja në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, dhe madje në disa raste, ka dalë edhe kundër thellimit të marrëdhënieve midis BE-së dhe Kosovës, duke krijuar shqetësime në lidhje me besueshmërinë e tij. Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ishte udhëheqësi i vetëm i BE-së nga pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që nuk mori pjesë në samitin midis vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar në Sofje dhe arsyeja për këtë ishte Prishtina.

Edhe pse duhet të dëgjojmë drejtpërdrejt nga zoti Borrell se si ai e sheh dialogun, ajo që dihet nga zhvillimet e fundit në Berlin dhe shtyrja e samitit të Parisit, është se ka një mosfunksionim serioz nga ana e BE-së. Përçarjet midis Francës dhe Gjermanisë në lidhje me dialogun nuk janë tanimë një sekret publik. Prandaj, është thelbësore që zoti Borrell të tregojë se e sheh dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si një përparësi të rëndësishme për BE-në dhe të dërgojë mesazhe të duhura për të dyja palët.

Në këtë kontekst, emërimi i një të Dërguari Special për dialogun Kosovë-Serbi do të ishte një veprim i rëndësishëm për t'i dhënë dialogut vëmendjen e nevojshme që i nevojitet në këtë fazë të fundit, në mënyrë që të sigurojë arritjen e një marrëveshje të ligjshme dhe të plotë. Një veprim i tillë do të forconte besueshmërinë e BE-së për t'u angazhuar me rajonin. Vazhdimi i politikave të paqarta dhe të paplota nuk rrezikon vetëm dialogun Beograd-Prishtinë, por vë në dyshim edhe seriozitetin e Komisionit Europian. Nuk është plotësisht e paimagjinueshme që Kosova dhe Serbia të mund të arrijnë një marrëveshje pa BE-në, por legjimiteti i kësaj marrëveshjeje mbetet për t’u diskutuar.

Emërimi i një të Dërguari Special për dialogun Kosovë-Serbi nuk është një ide e re. Së fundmi ajo është diskutuar në konferencat për rajonin e organizuar nga Instituti Aspen Gjermani. Ekspertët argumentojnë se nevoja e të Dërguarit Special për dialogun Beograd-Prishtinë nuk vjen vetëm sepse Përfaqësuesi i ardhshëm i BE-së do të jetë spanjoll, por se BE-ja ka nevojë për një zyrtar të posaçëm për t'u marrë me dialogun.

Angela Merkel, presdenti Thaci dhe presideni Macron

“ I dërguari special duhet të veprojë nën ombrellën e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. Rajoni ka nevojë për një të Dërguar Special sepse kjo mund të jetë potencialisht mënyra më efektive për të rinisur dialogun dhe për ta çuar drejt përfundimit. I dërguari special duhet dikush që ka mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe ka një mandat të qartë për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo bëhet gjithashtu e domosdoshme kur mendojmë për të gjitha çështjet e ngutshme që presin Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, përfshirë situatën me Iranin, Sirinë, Jemenin, Ukrainën, Rusinë dhe shumë probleme të tjera”, thotë analisti nga Prishtina Ramazan Llazi. “Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i ndërlikuar dhe vendoja e paqes mes dy vendeve do të marrë shumë kohë, por një marrëveshje për të përmbyllur fazën ekzistuese të dialogut që do të mundësonte që të dyja vendet të ecin përpara në rrugët e tyre europiane. Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të shënonte arritjen më të madhe për politikën e Jashtme të BE-së dhe të tregojë që BE është një aktor kompetent dhe efektiv për zgjidhjen e konflikteve. Me fjalë të tjera, një BE që nuk është e aftë të zgjidhë mosmarrëveshjet në oborrin e shtëpisë së saj, si mund të flasë me besueshmëri si aktor i rëndësishëm në çështje të tjera globale?”thotë analisti.

Por si mund të rinisë dialogu mes dy vendeve, në një kohë kur Kosova ndodhet në krizë të rëndë politike për shkak të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, por edhe vijimit të tij në detyrë?

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar këtë javë se pret që Samiti i Parisit të mbahet në shtator, takim gjatë të cilit Prishtina ka gjasa të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi, në mungesë të një kryeministri legjitim. Pjesëmarrësja tjetër në këtë samit, Gjermani, ka kërkuar me ngulm me një rol më aktiv në negociatat mes dy vendeve. Ish ambasadori gjerman në Shtetet e Bashkuara Wolfgang Ischinger, tanimë kryetari i Forumit të Sigurisë në Mynih, kohët e fundit argumentoi se duke qënë se "Serbia dhe Kosova nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje për problemet mes tyre, Evropa duhet të dalë me një draft-marrëveshjeje dhe t’ua paraqesë autoritete të Beogradit dhe Prishtinës gjatë takimit të Parisit".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë