Ngjarje

BE heq Shqipërinë dhe Serbinë nga lista e vendeve të sigurta, në Ballkan ka shpëtuar vetëm Bosnja

Ambasadorët e Bashkimit Europian të mërkurën ranë dakord të heqin Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta nga Covid-19.

Së bashku me Shqipërinë, nga lista do të hiqen po ashtu Serbia, Japonia, Azerbajxhani, Armenia dhe Brunei.  Diplomatët europianë thonë për mediat në Bruksel se me hyrjen në fuqi të vendimit udhëtarët nga këto shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, do të përballen me kufizime të rrepta kur të hyjnë në vendet e BE-së. Po ashtu disa shtete mund të ndalojnë udhëtimet jo thelbësore nga vendi ynë,  duke lejuar vetëm udhëtimet për punë apo arsye shëndetësore.

Vendimi, i cili u mbyll kështu dyert dy vendeve të Ballkanit më të cilat BE po mbante hapur kufijtë, pritet të zyrtarizohet këtë javë dhe është hapi i fundit nga Brukseli për të shtrënguar kufizimet e udhëtimit, për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve në të gjithë botën.

Vendimi për Shqipërinë dhe Serbinë vjen pasi BE hoqi nga lista e vendeve të sigurta Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka shëtuar deri tani në Ballkan vetëm Bosnjë Hercegovina.

Vendimi i ambasadorëve të Këshillit Europian nuk është i detyrueshëm për vendet anëtare, të cilat ende mund të zgjedhin të lejojnë hyrjen e vizitorëve të vaksinuar plotësisht nga Shqipëria. Por deri më tani, shumica e anëtarëve të BE kanë ndjekur këshillat e Brukselit për vendet e sigurta nga të cilat duhet të lejohet udhëtimet.

"Vendimi i fundit nuk i pengon shtetet anëtare të mos vendosin kufizime për udhëtarët e vaksinuar nga Japonia, Shqipëria, Serbia, Azerbajxhani, Armenia dhe Brunei," shkruan portali “Euractiv”.

Gjermania tashmë ka shtuar Shqipërinë dhe Serbinë në listën e  "zonave me rrezik të lartë" për të cilat zbatohen kufizime më të rrepta. BE-ja nga ana tjetër e përditëson çdo dy javë listën e vendeve të sigurta dhe atyre jo të sigurta. Vendimet bazohet në të dhënat për numrin e të infektuarve me koronavirus për 100 mijë banorë, dhe Shqipëria, bashkë me Serbinë, kanë shënuar përkeqësim të situatës epidemiologjike.

Rastet mesatare ditore të Covid-19 në vendin tonë janë rritur ndjeshëm nga nën 70 për 100.000 banorë muajin e kaluar, në më shumë se 214 raste deri më 6 shtator. Vendi ynë ka shënuar dy javë e fundit një rritje prej 105% të rasteve të reja, sipas të dhënave të OBSH-së. Po ashtu, një sërë vendesh europiane kanë ngritur shqetësime se shumë qytetare shqiptarë po udhëtojnë drejt BE-së me tamponë të falsifikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë